Hapet hetim ndaj 44-vjeçarit për djegien e veturave të Ambasadës Bullgare në Shkup
Ndërkohë Prokuroria Publike ka hapur hetim kundër 44 vjeçarit nga Shkupi i cili më 15 qershor i vuri zjarrin veturave të Ambasadës Bullgare në Shkup. Organi i akuzës ka konstatuar se nga hetimet e deritanishme bëhet fjalë për vepër penale serioze duke e kualifikuar si “Cenim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”.
Lënda i është dorëzuar Prokurorisë së krimit të organizuar, ndërsa ndaj të dyshuarit që rrezikon të paktën një vit burg është përshkallëzuar edhe masa e kujdesit. Nga 8 ditë paraburgim sa iu caktua në fillim nga gjykatësi hetues, 44 vjeçari është dërguar në 30 ditë paraburgim. Veturat sipas hetimit të deritanishëm kanë qenë të atasheve ushtarak të përfaqësisë diplomatike të Sofjes.








