Hapet për qarkullim Rruga e Arbrit, Rama pritet me daulle në Dibër

Melihate Rustemi

Është hapur Rruga e Arbrit. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e hapjes është pritur me daulle dhe në ritmet e festës.

Rruga kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit, pasi për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë.

“Ne jemi të sigurte që deri në prill gjithçka do të jetë në vendin e duhur. Kemi bërë një koordinim shumë të mirë me policinë e shtetit, kryesisht me policinë rrugore, gjatë gjithë kohës kur është punuar në këtë vepër. Dhe sidomos javën e fundit. Kemi edhe angazhimin e tyre për të marrë dorëzim këtë rrugë duke qenë se është në kushte të kantierit. Duhet të ketë një vëmendje nga policia rrugore gjatë gjithë kohës”, deklaroi Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës.

Rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje. Burreli, Klosi, Bulqiza dhe Peshkopia nëpërmjet Rrugës së Arbrit do të jenë të aksesueshme të gjitha brenda dy orëve.

Rruga përbëhet nga 6 tunele, 4 ura, ku ajo e Vashës dhe e Fshatit, ndër më të lartat në rajon dhe pjesa tjetër korsi e asfaltuar me dy sense në një total prej 70 km. Në tunelin e Murrizit automjetet mund të qarkullojnë nëpërmjet bypass-it deri në përfundim të punimeve. Rruga e Arbrit përfundon në Bllatë, kufi me Maqedoninë e Veriut, duke lidhur Shqipërinë me Dibrën e Madhe, Gostivarin dhe Tetovën./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button