Haradinaj: Është e turpshme nëse Limaj ndahet nga opozita
Haradinaj: Është e turpshme nëse Limaj ndahet nga opozita

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të qartë se partia e tij mbështet konstituimin e Kuvendit, por se për këtë çështje do të koordinohet me partitë e tjera opozitare. Ai ka ritheksuar se Aleanca do të angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita.
Ai shtoi se pas konstituimit, AAK do të punojë për krijimin e një qeverie nga opozita, në rast se pozita nuk arrin të krijojë shumicën.
“Ne, në parim, votojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kuptohet, do të bëjmë konsultime të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare, PDK-në dhe LDK-në, por besoj se konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve. Më pas, Aleanca angazhohet dhe punon që qeverinë ta krijojë opozita, pra, në rast të moskrijimit të shumicës nga pozita”, ka theksuar Haradinaj.
Në lidhje me raportet me Nismën Socialdemokrate dhe pozicionimin e liderit të saj, Fatmir Limaj, Haradinaj u shpreh i zhgënjyer, duke e quajtur ndarjen nga opozita “të turpshme”.
“Nuk kam komunikim që nga intervista e fundit e famshme e Limajt. Ka qenë shumë e vështirë krijimi i shumicës nga opozita, vetvetiu, pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Ka qenë i parakohshëm. Edhe nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne. Por është një ndarje mjaft e turpshme, për shkak se kemi kërkuar votë për ndryshim, dhe sjellja e tyre, veprimi i tyre është mjaft i turpshëm”, ka shtuar Haradinaj.
Sa i përket qëndrimit ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, Haradinaj ishte i prerë.
“Në taktika, asnjëherë s’kemi penguar konstituimin e Kuvendit dhe këtë nuk e bëjmë ndaras nga opozita. Është parim. Nuk besoj se do të pozicionohemi kundër konstituimit të Kuvendit, nuk e dimë cili do të jetë emri, kush do të jetë. Është një ndarje e turpshme, për shkak se kemi shkuar në çdo vend duke kërkuar votë për ndryshim – nuk është në rregull. Vetëvendosjes i kemi vetëm një kërkesë: të dalin në opozitë. Për opozitën nuk kemi asnjë kusht… Nëse ndahet Limaj, është më vështirë, por ne do të vazhdojmë, sepse edhe me votat e Nismës, ende nuk ka një shumicë Vetëvendosja. Do të vazhdojmë krijimin e shumicës”, ka përfunduar Haradinaj.