Haslem, kalon rekordin e Karim Abdull Xhabarit

Basketbollisti 43-vjeçar Udonis Haslem, që luan me skuadrën e Majami Hit, vendosi një rekord të ri në NBA. Në ndeshjen e tretë finale play off, e luajtur në Florida, ku Denver Nagets fitoi 109-94 ndaj Majamit, u bë basketbollisti më i vjetër që luan në finalet play off të NBA-së.
Haslem feston 43-vjetorin e tij (9 qershor) dhe thyen rekordin që mbahej nga një legjendë si Karim Abdull-Xhabar. Në takimin e fundit, Haslem u aktivizua në çerekun e katërt, por nuk la shumë gjurmë (luajti vetëm 30 sekondat e fundit).
Udonis Haslem do t’i thotë lamtumirë basketbollit në fund të këtij sezoni dhe shpreson ta bëjë këtë me një titull. Në karrierën e tij ai ka fituar 3 tituj kampionë me skuadrën e Majami Hit (2006, 2012, 2013), fanellën e së cilës e ka veshur përgjatë gjithë karrierës së tij 20-vjeçare në NBA.
Ai ka debutuar në sezonin 2003-2004 në NBA me Majamin, ndërkohë që këtë sezon ka luajtur vetëm në 7 ndeshje. Andaj edhe Haslem ka vendosur t’i thotë lamtumirë karrierës së tij si basketbollist.