Hedhja e mbeturinave në sipërfaqe publike, gjobiten komuna e Sopishtes dhe Kisella Vodës

Hedhja e mbeturinave në sipërfaqe publike, gjobiten komuna e Sopishtes dhe Kisella Vodës

Gazetare: Evi Shkopi

Kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski ka reaguar sot ndaj gjobës që inspektorët e Qytetit të Shkupit kanë shqiptuar ndaj kësaj komunë për hedhje të mbeturinave në sipërfaqe publike, para hyrjes së deponisë “Drislla”. Komunave Kisella Vodë dhe Sopishtë u janë shqiptuar gjoba që tejkalojnë shumën prej 100 mijë eurosh.  Kryetari i Kisella Vodës, tha se gjoba në fjalë është shqiptuar duke mos respektuar dispozitat ligjore, pasi që, sipas tij, NP “Drislla” është jashtë territorit të Qytetit të Shkupit. Ai thotë se komuna në mënyrë të rregullt ka paguar faturat dhe deri javën e kaluar vazhdimisht ka dërguar mbeturinat në “Drislla”. Kjo sipas Gjorgjievskit është dëshmi se nuk kanë pasur nevojë për kontratë, për të hedhur mbeturina në Drislla.

“Këtë gjobë nuk do ta paguaj askush nga qytetarët e mi dhe as nuk ka bazë për të njëjtën. Nëse është dashur të ketë marrëveshje dhe i njëjti ka qenë i patjetërsueshëm, në çfarë mënyre janë pranuar më parë mbeturinat e komunës tonë dhe na është dhënë fature për pagesë? Çdo deklaratë e tyre është gënjeshtër.  Kam informacione se dy inspektorëve që kanë shkruar gjobën janë kushtëzuar, ose të shqiptojnë gjobën ose të nënshkruajnë dorëheqjen.  Në shqyrtojmë mundësinë për padi penale ndaj kryetares së Qytetit”, deklaroi Orce Gjorgjievski -kryetar i Komunës së Kisella Vodës.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se NP “Drislla” është në pronësi dhe themelim të Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe është nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Qytetit të Shkupit. Për Qytetin e Shkupit, kryetari i Kisella Vodës dhe ekipi i tij i këshilltarëve ligjore janë dukshëm të paedukuar.

“Komuna Kisella Voda nuk ka asnjë kontratë me Drisllën, përkundrazi, kërkesa për lidhjen e kontratës i është dërguar NP “Drislla” dje më 11.07.2023. Ia kujtojmë Gjorgjievskit se në mbrëmjen kur i hodhi mbeturinat para NP “Drislla” ai vetë deklaroi se atë veprim e bën me “përgjegjësi të plotë”. Prandaj, është e turpshme që ai të qajë në konferenca për shtyp dhe të ankohet, përkundrazi le t’i qëndrojë të paktën një premtimi që ka bërë para publikut – këtë herë në vend që të shtiret trimëri para kamerave, le ta vërtetojë atë”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

E gjithë situata u krijua kur mbeturinat mbuluan komunat e kryeqytetit pasi punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” u hodhën në protestë. Disa nga kryetarët e Komunave morën iniciative që vet komuna të pastrojë mbeturinat.  /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button