Hernandez joshet nga “Djajtë e Kuq”, Milani shpreson për kontratë të re

Teo Hernandez, pasi mungoi në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Sassuolos, është gati të rifitojë vendin e tij në formacionin kuqezi, duke luajtur ndaj Atalantës. Fokusimi është tek e tashmja, por, siç nënvizon “Corriere dello Sport”, diskutimet për të ardhmen janë të pashmangshme, pasi kontrata e francezit me Milanin skadon në vitin 2026 dhe “sirenat” nga klubet e tjera vazhdojnë ta tundojnë.
Nga Anglia vijnë zëra për interesimin e Man. Junajtedit, sidomos pas dëmtimit të fundit të Luk Shau dhe me qëllimin për të përmirësuar alternativat në krah, aktualisht të mbuluar nga Malasia. Xheofri Monkada, drejtori teknik i “kuqezinjve”, ka deklaruar se negociatat për rinovimin e kontratës së francezit kanë nisur prej më shumë se dy muajsh.
“Dy muaj më parë filluam bisedimet. Mund të them se situata është e mirë. Të gjithë janë vërtet të kënaqur, nuk kam parë asnjë që dëshiron të largohet. Mund t’i pyesni vetë, të gjithë janë të lumtur këtu te Milani”.
Nga ambientet e “Casa Milan” vazhdon të mbizotërojë një ndjenjë besimi për qëndrimin e Teo Hernandez te “kuqezinjtë”.