Herson pas një javë luftimesh të ashpra, ra në duart e pushtuesve rusë

Gazetar: Adrian Kerimi
Kherson është qyteti i parë ukrainas i cili vendoset nën kontrollin e plotë të pushtuesve rus. Kreu i qytetit ka deklaruar se në territorin që administron ai nuk ka asnjë ushtarë ukrainas, ndërsa palës ruse i ka bërë thirrje të mundësojnë korridorin e gjelbër për evakuimin e civilëve dhe largimin e viktimave, shkruan Alsat.
Granatimet gjatë 24 orët e fundit kanë qenë të theksuara në rajonin lindor dhe veri-lindor, ndërsa në Mariupol është shkatërruar edhe porti kryesor i Ukrainës. Banorët lokalë janë ankuar se ushtria ruse ka bombarduar edhe depot me rezerva ushqimore në këtë qytet. Autoritetet e rajonit verilindor të Kharkiv njoftuan se mëngjesin e së enjtes janë vrarë 34 civilë dhe janë plagosur 285 të tjerë nga sulmi i forcave ruse. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos qëndrojë “neutral” dhe ka akuzuar Rusinë se dëshiron të fshijë historinë e vendit të tij. Ai gjithashtu ka potencuar se morali i ushtarëve rus ka rënë dhe se duan të kthehen në vendin e tyre, duke i potencuar edhe humbjet e mëdha të Rusisë dhe vrasjen e mbi 9 000 ushtarëve rus.
“Nuk kemi çfarë të humbin përveç se lirinë tonë. Gjatë 24 orëve të fundit nuk janë ndaluar granatimet në 5 qytete. Por ne nuk do të dorëzohemi. Morali jonë është i lartë. Do ta kthejmë në gjendje të mëparshme çdo shtëpi, çdo lagje dhe çdo qytet. Rusinë e porosis: mësoni fjalën reparacion dhe dëmshpërblim. Do të na ktheni gjithçka që morët nga ne, shteti jonë dhe ukrainasit”, deklaroi Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.
Zelensky ka shtuar se rreth 16 000 vullnetarë nga vende të ndryshme të BE-së pritet t’i bashkohen ushtrisë ukrainase. Një pjesë e tyre do të aterojnë në Poloni, ndërsa më pas do të hyjnë në Ukrainë përmes logjistikës ushtarake. Ndërkohë, ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov gjatë një konference për media tha se qëllimi i Rusisë është rrëzimi i nazizmit në Ukrainë dhe se Moska është e vendosur që të shkoj deri në fund. Ai tha se Kremlini posedon informacion për sulme nga shtetet e tjera, ndërsa potencoi se NATO po tenton të ruajë mbifuqinë e saj ndaj Evropës dhe SHBA-ve.
“Qëllimi jonë është të çlirohemi nga nazistët në Ukrainë. Këtë e kemi thënë disa herë dhe mbetemi në të. Moska nuk do të lejojë që Ukraina të mbetet në binaret kërcënuese ndaj Rusisë. Për këtë arsye do të shkojmë deri në fund. Sa i përket luftës nukleare, ajo është një gjë që sillet në kokat e politikanëve perëndimorë, por jo edhe në kokat ruse”, deklaroi Sergey Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.
Nga ana tjetër, armata e Federatës Ruse ka bërë një bilanc të sulmit mbi Ukrainën. Që nga fillimi i luftimeve e deri më tani janë shkatërruar 1 612 objekte të infrastrukturës ushtarake. Në mesin e këtyre përfshihen 62 qendra komandimi dhe komunikimi të Forcave të Armatosura të Ukrainës, 39 sisteme të mbrojtjes, si dhe 52 stacione radarësh. Ndër të tjera, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi, Igor Konashenkov ndau informacionin se janë shkatërruar gjithsej 62 avionë të ushtrisë së Ukrainës, 606 tanke dhe mjete të blinduara, 67 multi raketahedhëse, 227 mortaja, 405 mjete të veçanta ushtarake dhe 53 mjete ajrore pa pilot (dronë).
Kombet e Bashkuara njoftuan se 227 civilë kanë humbur jetën dhe 525 të tjerë janë plagosur në Ukrainë ku Rusia ka filluar sulmin dhe është theksuar se besohet që shifra e vërtetë është shumë më e lartë. Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë, Holandë tha të mërkurën se do të vazhdojë menjëherë me një hetim pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /Alsat.mk