Heshtje në BDI dhe ASH për vizitën e Kurtit
Heshtje në BDI dhe ASH për vizitën e Kurtit

Gazetare: Fatlume Dervishi
Për të katërtën ditë me radhë, që pas vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Çair dhe Tetovë, asnjëra nga partitë shqiptare në pushtet nuk ka reaguar për çështjet që nxitën debat në opinion. BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, as sot të pyetura nga Alsat, nuk prononcohen se çfarë mendojnë për emërimin e rrugës me emrin Adem Demaçi në Çair dhe as për akuzat se ikonografia, intonimi i himnit shqiptar dhe përdorimi i simboleve monoetnike në Tetovë, ishin nxitëse të jotolerancës etnike.
Nga Lëvizja Besa thonë se këto dy parti heshtin që të mos e rrezikojnë pozitën e tyre në pushtet.
“Dallimi mes kryeministrit të Kosovës dhe qeverisë së Maqedonisë, siç duket, është tek vetë koncepti perëndimor kundrejt ndikimit të konceptit serbo-rus tek ne. Prandaj reagimet janë kaq histerike nga pushtetarët tanë. Ajo që nuk arrijmë të kuptojmë janë partitë shqiptare në qeveri të cilat aspak nuk dallojnë nga qëndrimet e partive maqedonase, edhe në momentet kur përbuzen elementet me karakter kombëtar shqiptar. Partitë politike shqiptare edhe në këto raste heshtin, vetëm e vetëm mos t’u rrezikohet pozita e tyre në pushtet,” deklaroi Blerim Sejdini, Lëvizja Besa.
VMRO-DPMNE-ja nuk pajtohet me riemërimin e rrugës “Adem Demaçi” dhe për këtë akuzon dhe kryeministrin i cili dy vite më parë, nga pozita e zv.ministrit të Financave kishte dhënë votën e tij për miratimin e 500 emrave të rinj të rrugëve, mes të cilëve edhe “Adem Demaçi”.
“Kovaçevski pas zbulimit të së vërtetës, jo vetëm që nuk përgjigjet sot, por edhe e dënoi riemërimin e Brigadës së Dytë Maqedonase për të cilën ka votuar edhe vetë para dy vitesh. Janë legjitime pyetjet nëse Kovaçevski është aq i paaftë dhe ka memorie aq të shkurtër për veprimet e tij ose është këmbëngulës në gënjeshtra të pasuksesshme,” tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.
Të premten në vend qëndroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili në Çair u prit në përurimin e emrit të ri të rrugës “Adem Demaçi” kurse nga Tetova bëri thirrje për përshpejtimin e ndërtimit të rrugës Tetovë-Prizren dhe mori pjesë në koncert të organizuar me rastin e kësaj vizite. Kurti takoi vetëm politikanë të bllokut opozitar dhe asnjë nga radhët e pushtetit. /alsat.mk