Hetim ndaj babait pasi adoleshentit 15-vjeçar, i cili drejtonte makinën iu gjetën armë brenda në makinë
Hetim ndaj babait pasi adoleshentit 15-vjeçar, i cili drejtonte makinën iu gjetën armë brenda në makinë

Gazetar: Ajnur Bafqari
Një 15-vjeçar u kap nga policia duke drejtuar një makinë ku kishte disa armë dhe municione, njoftuan nga Prokuroria. Nga atje thonë se është nisur hetim ndaj babait të të miturit, i cili akuzohet për veprën penale të prodhimit, mbajtjes, ndërmjetësimit dhe tregtimit të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese, sipas nenit 396, paragrafi 3 të Kodit Penal.
“Hetimi është nisur pasi i dyshuari (babai) mbante në mënyrë të paautorizuar armë zjarri dhe municione në makinën e tij, një Audi A8—dy pistoleta, njëra me kalibër 7.65 mm dhe tjetra me kalibër 9 mm, secila me nga katër plumba. Në makinë është gjetur edhe një pistoletë tjetër për të cilën i dyshuari kishte leje dhe tetë plumba, si dhe dy pistoleta sinjalizuese”, thonë nga Prokuroria.
15 vjeçari, u ndalua nga policia ndërsa po drejtonte makinën në zonën e Volkovës në Shkup, në mbrëmjen e 23 janarit, dhe në automjet u gjetën armët. Prokurori publik kompetent i ka propozuar për vendosjen e masave paraprake ndaj të dyshuarit, babait të fëmijës, përfshirë ndalimin e largimit nga vendbanimi si dhe konfiskimin e pasaportës dhe patentës së shoferit. Gjithashtu, prokuroria kërkon që të ndalohet qasja në dhoma ose banesa ku ka armë zjarri për djalin e mitur dhe për persona të tjerë të mitur ose të paautorizuar./Alsat.mk