Hoze Murinjo kërkon transferimin e sulmuesit të Liverpullit

Sipas raportimeve në Turqi, Hoze Murinjo i ka kërkuar Fenerbahçes transferimin e reprezentuesit italian Federiko Kieza nga Liverpulli këtë verë. Ish-trajneri i Romës dhe Interit ka shtyrë klubin që të sjellë më shumë opsione në krahët e sulmit, për t’i dhënë atij më shumë alternativa në aspektin taktik.
Mediumi turk “A Spor” ka raportuar se Murinjo ka identifikuar Kieza-n si një objektiv kryesor për sezonin e ardhshëm. 27-vjeçari sapo ka fituar një medalje të Premier Ligës me Liverpullin, pavarësisht se rrallë herë shkeli fushën e lojës që prej transferimit nga Juventusi në gusht të 2024.
Ai ka bërë vetëm 12 paraqitje në ndeshje zyrtare, ku katër prej tyre erdhën në Premier Ligë në një total prej 33 minutash. Kieza ka kontribuar me dy gola dhe dy asistime me fanellën e Liverpulit. Megjithatë, talenti është ende aty pas shumë problemeve me lëndime, kështu që Fenerbahçe dhe Murinjo shpresojnë se mund ta nxjerrin më të mirën nga ai.
Liverpulli pagoi 12 milionë euro plus bonuse varësisht nga performancat për ta blerë nga Juventusi, andaj “A Spor” pretendon që ata presin të paktën 10 milionë euro nga shitja e tij këtë verë.