BE po përgatitet të krijojë certifikata për vaksinim kundër COVID-19

Zv/kryetari i Komisioni Evropian i ngarkuar për unionin e energjisë, Marosh Shefçoviç, ka bërë të ditur se Komisioni Evropian është duke përgatitur një certifikatë dixhitale të vaksinës së koronavirusit të ri (COVID-19) që pritet të njihet globalisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Duke folur në një konferencë për media pas takimit virtual të ministrave të çështjeve evropiane, Shefçoviç konfirmoi se organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) është duke punuar për certifikatën elektronike të vaksinës kundër COVID-19.

“Është e rëndësishme për ne të kemi një sistem që është i pajtueshëm brenda vendeve anëtare të BE-së dhe po bëjmë presion për një pajtueshmëri globale në regjistra elektronik të vaksinimit, mundësisht nën kujdesin e OBSH-së”, tha Shefçoviç, i cili po ashtu është komisioner i BE-së për marrëdhëniet ndër-institucionale dhe për parashikimin.

Megjithatë, shtoi ai, certifikatat e vaksinës së pari duhet të përdoren për qëllime mjekësore.

Sipas tij, Pasi sistemi i regjistrimit të vaksinimit të jetë funksional dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) të jep këshillat e saj shkencore, “mund të vendosim për përdorime të tjera të regjistrave elektronik të vaksinimit në lidhje me udhëtimet” midis vendeve të BE-së dhe jashtë bllokut.

Krerët e vendeve dhe qeverive të BE-së pritet të diskutojnë idenë e pasaportave të udhëtimit gjatë samitit të tyre virtual që do të mbahet nesër.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në muajin janar propozoi certifikatën e vaksinimit COVID-19 për udhëtime në të gjithë BE-në në përpjekje për të shpëtuar sezonin e ardhshëm turistik.

Deri në fund të muajit shtator blloku synon të vaksinojë 70 për qind të popullsisë së rritur.

Shefçoviç njoftoi se deri më tani janë administruar 40.7 milion vaksina COVID-19 dhe 300 milion doza të tjera do të shpërndahen në tremujorin e dytë të vitit.

BE ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë kompani bioteknologjike, respektivisht me Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline, për blerjen e rreth 2.6 miliardë dozave të vaksinës COVID-19.

LEXO EDHE:

Back to top button