Biden i shpreh homologut kinez shqetësime për të drejtat e njeriut

Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha homologut të tij kinez, Xi Jinping, se është i shqetësuar me praktikat e padrejta ekonomike të Pekinit, shtypjen në Hong Kong, shkeljen e të drejtave të njeriut në Ksinjiang dhe situatën në Tajvan.

Të dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike, e para prej se Biden mori detyrën më 20 janar.

Të dyja vendet kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh ekonomike, politike dhe të të drejtave të njeriut. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump e kishte fajësuar Kinën për pandeminë e koronavirusit dhe nuk kishte biseduar më me homologun e tij kinez që nga marsi i vitit të kaluar.

Televizioni shtetëror kinez citoi presidentin Xi të ketë thënë gjatë bisedës se të dyja vendet kanë dallime, “ por ato mund të menaxhohen”.

Ai i ka thënë Bidenit se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të kujdesshme dhe të mos ndërhyjnë në çështjet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës. Këtu ka përmendur Tajvanin, Hong Kongun dhe Kninjiangun.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kishte shpallur sanksione kundër zyrtarëve dhe bizneseve kineze. Zyrtarët amerikanë patën deklaruar se Partia Komuniste e Kinës kishte kryer krime kundër njerëzimit kundër ujgurëve kryesisht myslimanë dhe grupeve tjera në Ksinjiang.

Kritika të ashpra SHBA-ja kishtë bërë edhe për goditjen ndaj aktivistëve pro-demokracisë në Hong Kong.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden dhe Xi diskutuan edhe për situatën e pandemisë.

“Tema diskutimi ishin edhe vështirësitë e përbashkëta të sigurisë globale, ato shëndetësore, ndryshimi të klimës dhe parandalimin e përhapjes së armëve”, tha Shtëpia e Bardhë.

Para kësaj bisede, gjatë një vizite në Pentagon më 10 shkurt, presidenti amerikan shpalli një rishikim të politikës së SHBA-së ndaj Kinës.

Në këtë plan përfshihen çështje të inteligjencës, teknologjisë, pranisë së ushtrisë amerikane në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes me Pekinin.

LEXO EDHE:

Back to top button