Grusht shteti i dështuar në Turqi, dhjetëra persona dënohen me burgim të përjetshëm
Një gjykatë në Turqi u ka shqiptuar dënime të përjetshme dhjetëra të pandehurve në një nga gjykimet më të mëdha, që lidhet me përpjekjen për grusht shtet të vitit 2016.
Pilotë të forcave ajrore dhe komandantë të ushtrisë ishin në mesin e gati 500 të pandehurve, të akuzuar për përpjekjen për të përmbysur nga pushteti presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Një total prej 475 të pandehurve u gjykuan, ndërsa 365 prej tyre janë të burgosur.
Të paktën 25 ish-ushtarakëve të lartë iu shqiptuan dënime të rënda të përjetshme.
Ata dyshohet se drejtuan komplotin nga baza ajrore Akinci pranë Ankarasë.
Erdogan thotë se kleriku mysliman me bazë në SHBA, Fethullah Gulen organizoi komplotin. Gulen ka mohuar çdo përfshirje në përpjekjen për grusht shteti.
Përpjekja për grusht shteti la të vrarë 251 njerëz dhe më shumë se 2.000 të plagosur.
Gjyqi filloi në gusht të vitit 2017 dhe akuzat përfshijnë përpjekjen për të vrarë presidentin Erdogan dhe për të kapur institucionet kryesore të shtetit.