Skuadra e Man. Sitit është e gatshme që në verë të transferojë yllin e Borusia Dortmundit, Erling Haaland, pavarësisht që agjenti Mino Raiola kërkon 47 milionë funte, si komision për marrëveshje. E ardhmja e Haaland mbetet në dyshime, pasi që ka klauzolë lirimi me vlerë 75 milionë euro.
Top klubet e mëdha evropiane janë të interesuara për 21-vjeçarin, si Man. Siti, Man. Junajted, Real Madrid, Çellsi dhe Bajern Munih. Sidoqoftë, kërkesat e larta të norvegjezit, kanë ndikuar që disa nga top klubet të largohen nga gara.
“Daily Star” raporton se Raiola gjithashtu kërkon komision prej 47 milionë funte, që do ta ndajë me babin e lojtarit, Alf-Inge Haaland, vlerë të cilën e fitoi edhe kur e transferoi Poll Pogba te Man. Junajted në vitin 2016.
Sidoqoftë, Man. Siti thuhet se është gati të paguajë këtë vlerë për të siguruar shërbimet e Haaland-it, ngase dështuan që verën e kaluar të gjejnë pasuesin adekuat të Serhio Agueros.
Haaland deri më tani ka shënuar 74 gola dhe krijuar 20 të tjera në 73 paraqitje për Borusia Dortmundin, në të gjitha garat.








