Ligjvënësit që injorojnë dhunën ndaj grave

Përgatiti: Adrian Kerimi

Maqedonia e Veriut e cila për të paktën 16 vite gëzon statusin kandidat për marrjen e datës së bisedimeve aderuese në Bashkimin Evropian, rezulton që të ketë neglizhuar institucionalisht disa çështje të ndjeshme. Ndonëse në raportet e Komisionit Evropian disa herë është theksuar nevoja e luftës efikase kundër dhunës ndaj gruas, parlamentarizmi në Maqedoni të Veriut ka qëndruar duarkryq në shqyrtimin e çështjeve të tilla.

Edhe pse raportet e Kuvendit flasin për ekzistimin e Komisionit për mundësi të përbashkëta mes femrave dhe meshkujve si dhe Klubit të Deputeteve, nga viti 2013 e tutje nuk ka pasur veprime konkrete, por thjeshte rekomandime të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë marrë në konsideratë shkaku i shpërbërjes së shumicës parlamentare, formimit të Qeverisë teknike dhe mungesës së konsensusit mes grupeve parlamentare në Kuvend. Deputetja nga radhët e BDI-së, anëtare në Komisionin për mundësi të barabarta mes femrave dhe meshkujve, Arta Bilalli-Zenderi thotë se gjatë mandatit saj (i referohet vitit 2020-2021) Kuvendi nuk ka hapur asnjë diskutim për çështjet që kanë të bëjnë me luftën kundër dhunës ndaj grave.

“Për dhunën ndaj gruas nuk ka pasur një të tillë prej kur jam unë deputete (04.08.2020)”, thekson deputetja Bilalli-Zendeli.

Ajo shton se trajtimi i këtij fenomeni nga institucionet nuk është ne nivelin e duhur, duke potencuar se kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në rritjen e bilancit të veprave penale “dhunë” dhe “dhunë familajre”.

“Vlerësoj se trajtimi institucional lë për të dëshiruar. Nga vetë fakti se shpesh herë dëgjojmë për ecuri fatale të rasteve apo brenda familjeve të cilat edhe më herët kanë raportuar për dhunë familjare, tregon se “zinxhiri” diku këputet dhe kryerësi e viktima lihen të vazhdojnë jetën pa garantuar se nuk do të vjen tek përsëritja e rastit apo pa ua pamundësuar përsëritjen e dhunës”.

Duke shpjeguar përvojat e saja, deputetja Zendeli rrëfen për një rast konkret të denoncuar personalisht  për një palë të tretë e që institucionet kanë vepruar në kohë falë seriozitetit të denoncimit.

“Po, më ka ndodhur të denoncoj dhe institucionet (policia) e ka marrë në konsideratë denoncimin, ka shkuar te banesa përkatëse (por, kam kërkuar anonimitet dhe nuk kam treguar se kush jam). Kam bërë denoncim sepse kisha frikë do të përfundon tragjikisht dhe nuk mundesha të rri, të pres e të dëgjoj nga mediumet se në fqinjësinë time ka pasur rast të dhunës familjare me epilog fatal. Fatmirësisht, nuk pati epilog fatal!”.

Në broshurën e Komisionit për mundësi të barabarta mes femrave dhe meshkujve, në pjesën e veprimtarive të parapara potencohet dy pika të cilat ndërlidhen me dhunën kundër gruas: fushata mbarë-evropiane dhe festimi i ditës botërore kundër dhunës në familje.

Komisioni për mundësi të barabarte mes femrave dhe meshkujve  (2006-2013)

Një fushatë mbarë-evropiane kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj femrave, veprimtari të shumta, duke përfshirë miratimin e një Deklarate Parlamentare në nëntor 2006 (2006- 2008);
Festimi i ditës botërore të luftës kundër dhunës në familje, së bashkë me Klubin e femrave deputete dhe Lobin e grave maqedonase (çdo vit)

Në planin strategjik 2018-2020 të Kuvendit të rekomanduar nga Klubi i deputeteve dhe Komisioni për mundësi të barabarta mes femrave dhe meshkujve përfshihet ndihma në harmonizimin e legjislaturës vendore me Konventën e Këshillit të Evropës, por në këtë drejtim nuk është ndërmarr asnjë hap.

Plani strategjik 2018-2020

Parandalimi i dhunës së bazuar në gjini

“Ndihmë në procesin e harmonizimit të legjislaturës vendore me standardet e potencuar në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës familjare”.

Ndërkohë në planin strategjik për vitin 2020-2021 konstatohet se vendi ka bë përpjekje për zbatimin e rezolutës 1325 por mungesa e strategjisë adekuate nacionale pamundëson përfshirjen e kësaj rezolute në legjislacion dhe strategji.

Plani strategjik 2020-2021

“Vendi ka bërë përpjekje drejt Agjendës së Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë (Rezoluta 1325 e Këshilli të Sigurisë në OKB “Gratë, paqja dhe siguria” dhe rezolutat pasuese), edhe pse deri tani nuk ka strategji nacionale adekuate apo plan aksionar për zbatimin e Agjendës 1325”.

Këto aktivitete të pakta sipas deputetes Bilalli-Zendeli burojnë si pasojë e mos gatishmërisë së legjislaturës apo përbërjes parlamentare për të harmonizuar Kodin Penal me konventat praktike dhe të aprovuara nga institucionet ndërkombëtare.

“Në procedurë është edhe Ligji për mundësi të barabarta midis burrave dhe grave; në Kuvend funksionon Komisioni për mundësi të barabarta midis burrave dhe grave (ku për fat të keq ka shumë anëtare dhe zëvendës anëtare të gjinisë femërore e fare pak të gjinisë mashkullore). Pikërisht pjesë e ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit penal do të jenë veprat e kryera gjatë ushtrimit të dhunës familjare. Kodi penal duhet të harmonizohet me Konventën e Stambollit”, shton deputetja Bilalli-Zendeli.

Në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2020 referuar Maqedonisë së Veriut potencohet se korniza ligjore mundson luftë efikase, por mungon vullneti institucional për t’u marr seriozisht me rastet e denoncuara. Në të potencohet se rastet e dhunës familjare mbeten në sirtarët e institucioneve dhe pa epilog, duke dhënë potencial që viktimat ose agresorët (pas denoncimeve) të marrin drejtësinë në duart e tyre, duke ngritur potencialin e veprave penale edhe më tepër.

“Janë shënuar disa përparësi në barazinë mes femrave dhe meshkujve. Korniza ligjore është gjerësisht në linjë me legjislacionin e BE-së, por akoma ka nevojë për përditësim duke u bazuar në Konventën e ratifikuar të Stambollit. Rastet e dhunës familjare mbeten mes pritjeve dhe akoma duke u proceduar nëpër gjykata gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Gjatë periudhës së raportimit janë regjistruar 13 viktima të dhunës së bazuar në gjini. Janë gjashtë strehimore, tri në Shkup dhe tri në Pellagoni, Vardar dhe pjesën lindore duke lënë katër rajone tjera pa qasje në shërbim. Strehimoret nuk plotësojnë as kushtet elementare minimale të Konventës së Stambollit dhe shumica nuk janë të qasshme për gratë e paafta. Mungojnë të dhëna sistematike të dhunës së bazuar në gjini”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2020.

Ky fenomen ishte temë diskutimi edhe në dialogun e Zhan Monesë në cilin potencohet nevoja e adresimit të çështjeve legjislative në ligjvënës dhe zbatimi i tyre në praktikë. Në kuadër të dialogut, jo zyrtarisht (pasi ky dialog akoma nuk ka epilog) është rekomanduar:

  1. Përmirësimi dhe plotësimi i rregullativës ligjore për luftë efikase kundër dhunës ndaj gruas;
  2. Ashpërsimi i dënimeve dhe gjobave të parapara me ligjet përkatëse dhe Kodin Penal;
  3. Trajtimi i zakonshëm në Kuvend dhe trupat punës si dhe rekomandime konstante mbi luftën efikase me qëllim parandalimin e veprave të tilla në kohë;
  4. Proces inkluziv dhe përfshirjen e të gjitha institucioneve përkatëse në luftën kundër dhunës ndaj gruas (policia, prokuroria, gjykata, avokati i popullit, OJQ-të etj.).

Në fillim të muajit mars Kuvendi pritet të fillon veprimtarinë konkrete drejtë finalizimit të dialogut të Zhan Monesë dhe hapjen e debatit parlamentar mbi nevojën e këtij dialogu.

Të dhënat që i kemi siguruar nga Ministria e Brendshme flasin për shifra alarmante të ndara në tre grupe: viktimat e dhunës (familjare), rastet e paraqitura në institucione dhe të proceduara si dhe grupi tretë ankesat.

Viti20192020
Viktima1.0611.052
Paraqitje534560
Ankesa3.2543.839

 

Numri i ankesave paraqitet më i lartë se bilanci i viktimave, që nënkupton se në vitin 2019/2020 janë regjistruar edhe ankesa për raste të pa proceduara në vitet paraprake. Ndër qytetet ku janë regjistruar më shumë raste është Shkupi i pasuar nga Manastiri, Shtipi, Tetova, Kumanova, Velesi, Strumica dhe Ohri.

Të dhënat e lartpërmendura nuk përfshinë rastin e fundit “Dhoma Publike” për shkak se vepra penale i referohet fillimit të vitit 2021. Por vlen të theksohet fakti se institucionet edhe në këtë rast ku viktima ishin vajza të moshës së re dhe disa prej tyre minorene nuk ndërmorën asgjë. Resorët përkatës nuk ndërmorën hapa konkret, ndërsa paralajmërimet për ndryshime në Kodin Penal kanë ngelur në Ministrinë e Drejtësisë e cila kishte premtuar përfshirjen e dispozitave konkrete për veprën penale “ngacmim” e cila për momentin nuk ekziston në dispozitat e Kodit Penal.

**Linku deri te raportet vjetore të Kuvendit: https://www.sobranie.mk/godishen-izveshtaj.nspx

 

LEXO EDHE:

Back to top button