Doza e tretë antiCovid nuk lehtëson udhëtimin në BE
Nuk dihet nëse personat e vaksinuar me tre doza kundër Covid19 do të kenë certifikatë të re të vaksinimit. Për momentin në fuqi mbeten certifikatat aktuale si për përdorim të brendshëm ashtu dhe për udhëtime jashtë Maqedonisë. Doza e tretë ende nuk është e detyrueshme. Ministria e Shëndetësisë nuk ka informata nëse përzierja e vaksinave do të ndryshojë apo lehtësojë procesin e udhëtimit të qytetarëve drejt vendeve ku disa nga vaksinat nuk pranohen.
Asnjë shtet në botë për momentin dozën e tretë nuk e ka kusht për pranimin e shtetasve të huaj Brenda territorit të tyre. Tani për tani doza e tretë nuk është kusht për udhëtim si dhe nuk është pjesë e certifikatës së vaksinimit – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga dje, me dozën e tretë mund të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët kanë kaluar 6 muaj që nga pranimi i dozës së dytë. Nga pikat e vaksinimit në Shkup, thonë se interesimi i qytetarëve për të pranuar dozën e tretë është i lartë.
Në pikën e vaksinimit në Poliklinikën Bukuresht jepet doza e tretë, paraqiten pacientë për dozën e tretë. Konkretisht dje janë vaksinuar 30 qytetarë me dozën e tretë ky është numër total, prej të cilëve rreth 20 janë qytetarë pa faktorë rreziku. Kemi pacientë të cilët janë të interesuar para se t’i kalojnë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë që të vaksinohen me dozën e tretë, megjithatë nuk mundet. Rekomandimet e ministrisë e Shëndetësisë janë që vetëm pas 6 muajve nga doza e dytë të vaksinohen me të tretën – tha Silvana Mirkoska, pika e vaksinimit – Poliklinika Bukuresht.
Gjatë ditës së djeshme 74 qytetarë kanë pranuar dozën e tretë të vaksinës kundër Kovid19. Gjithsej deri më tash në vend me dozën e tretë janë vaksinuar 573 qytetarë. Dozën e tretë mund ta marrin edhe qytetarët të cilët dy dozat e para i kanë marrë jashtë shtetit.
Vjollca Aliti








