Dyshohet se u helmuan nga kërpudhat që kishin mbledhur në Gjirin e Lalëzit, ndërrojnë jetë tre anëtarë të një familjeje nga Kosova

Tre anëtarë të një familjeje nga Gjilani kanë ndërruar jetë teksa pushonin në Shqipëri. Vdekja dyshohet të ketë ardhur për shkak të helmimit nga ushqimi.
Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije se shtetasit nga Kosova E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe nga Gjilani, dyshohet se kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit, janë helmuar. Ndërkohë, janë proceduar penalisht dy mjekë në Manës për veprën “Mjekim i pakujdesshëm”, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka i ka dërguar një telegram ngushëllimi familje Haliti pas humbjes tragjike të tre anëtarëve në Shqipëri.
“E nderuar familje Haliti, me trishtim e mora lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të tre anëtarëve të familjes suaj, në Shqipëri, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti. Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve dhe apeli im është që të ndriçohet rasti sa më parë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Familje e dashur Haliti, ju lus që të bëheni të fortë për ta përballuar këtë tragjedi që na tronditi të gjithë. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, thuhet në telegram.