Hulumtimi: Në këtë vend njerëzit e shijojnë më së paku jetën e tyre të dashurisë
Hulumtimi: Në këtë vend njerëzit e shijojnë më së paku jetën e tyre të dashurisë

Japonezët e shijojnë më së paku seksin dhe jetën romantike, të ndjekur nga Koreja e Jugut, sipas një sondazhi të ri nga agjencia kërkimore Ipsos me qendër në Paris, Francë.
Këto dy vende të Azisë Lindore, megjithatë, po luftojnë me një krizë të ngjashme demografike me nivelet e tyre të ulëta kronike dhe të rrezikshme të lindjeve, siç paralajmërojnë autoritetet. Sondazhi, i publikuar këtë javë, mbulon 31 vende në mbarë botën dhe zbuloi se vetëm 37 për qind e të anketuarve japonezë përjetojnë kënaqësi nga romanca dhe seksi. Për Korenë e Jugut, ky numër është 45 për qind, krahasuar me 76 për qind për Indinë dhe Meksikën e renditur më lart dhe 75 për qind për të anketuarit nga Kina dhe Tajlanda.
Nga vendet evropiane, Spanja është e teta në këtë listë – me 70 për qind të kënaqur. Britania e Madhe, Polonia dhe Turqia janë diku në mes të listës dhe Gjermania, Hungaria dhe Italia janë afër fundit.
Në qershor, ministria e shëndetësisë e Japonisë e përshkroi shkallën e lindjeve në vend si “kritike”, pasi ishte 1.20 vitin e kaluar. Ky është një rekord i ulët në mbarë vendin për të tetin vit radhazi.
Në këtë kuptim, Koreja e Jugut ka normën më të ulët të lindjeve në botë, me 0.72.
Kur u pyetën se sa shumë “ndihen të dashur” në jetë, 51 përqind e japonezëve thanë kështu – numri më i ulët nga të gjithë. Pak mbi ta janë koreano-jugorët dhe italianët me 63 për qind.
Pakënaqësia është pjesërisht rezultat i “personalitetit të japonezëve, të cilët nuk janë të mirë në artikulimin e emocioneve dhe qëndrimeve të tyre kur bëhet fjalë për romancën,” tha anketa e Ipsos.
Ndër përpjekjet për të rritur shkallën në rënie të lindjeve në Japoni është një aplikacion takimesh i lançuar këtë vit nga autoritetet në kryeqytetin, Tokio. Këtu, përdoruesit duhet të paraqesin dokumentacion që vërteton “legalisht” se janë beqarë dhe të firmosin një dokument që deklaron se janë gati të martohen.