Hulumtimi: Të gjithë japonezët në 500 vjet mund të kenë të njëjtin mbiemër
– Nëse të gjithë bëhen Sato, mund të na duhet të thërrasim njëri-tjetrin vetëm me emër ose numër. Nuk mendoj se do të ishte një botë e mirë për të jetuar, tha Yoshida

Të gjithë japonezët mund të kenë të njëjtin mbiemër në 500 vjet nëse çiftet e martuara nuk lejohen të kenë mbiemra të ndryshëm, sipas një studimi të fundit. Ajo u krye si pjesë e një fushate për të ndryshuar “Kodin Civil” të shekullit të 19-të, i cili kërkon që bashkëshortët të kenë të njëjtin mbiemër, raporton Guardian.
Punimi shkencor, i udhëhequr nga Hiroshi Yoshida, profesor i ekonomisë në Universitetin Tohoku, thekson se nëse “autoritetet vazhdojnë të këmbëngulin” që bashkëshortët të zgjedhin një mbiemër (kryesisht të bashkëshortit – në 95 përqind të rasteve), deri në vitin 2531 çdo japonez do të të mbiemrin Sato-san. Yoshida thotë se hulumtimi përdori disa supozime dhe se ideja e tij ishte të përdorte të dhëna statistikore për të shpjeguar ndikimin e mundshëm të sistemit ekzistues në shoqërinë japoneze.
– Nëse të gjithë bëhen Sato, mund të na duhet të thërrasim njëri-tjetrin vetëm me emër ose numër. Nuk mendoj se do të ishte një botë e mirë për të jetuar, tha Yoshida.
Sipas të dhënave të marsit 2023, Sato është tashmë mbiemri më i zakonshëm japonez, i ndjekur nga Suzuki. Disa përdorues të mediave sociale menduan se sondazhi ishte në fakt një shaka e 1 prillit, sepse rezultatet e tij u publikuan pardje. Megjithatë, ky nuk ishte rasti. Yoshida tha se qëllimi i tij ishte të bënte njerëzit të mendonin.
Sipas tij, emri Sato do të cenonte dinjitetin e individit, përveçse do të rezultonte në humbjen e trashëgimisë familjare dhe rajonale.
Edhe pse lejohet që emri i vajzërisë të jetë i shënuar në pasaportë, patentë shoferi ose leje qëndrimi, Japonia është ende i vetmi vend në botë ku çifteve të martuara kërkohet ligjërisht të kenë të njëjtin mbiemër. Anëtarët konservatorë të Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet besojnë se ndryshimi i ligjit do të prishë unitetin e familjes dhe do të shkaktojë keqkuptime mes fëmijëve.