Humbin jetën dhjetëra persona nga përleshjet në Gaza, prej tyre 13 fëmijë

Mbi 30 persona e kanë humbur jetën, prej të cilëve 13 fëmije në sulmet më vdekjeprurëse të ushtrisë izraelite në Gaza që nga fillimi i bombardimeve të hënën. Numri i përgjithshëm i viktimave në Gaza ka shkuar në 181, përfshi 52 fëmijë. Dy fëmijë janë në mesin e dhjetëra viktimave në Izrael. Tensionimi nga dita në ditë i situatës ka shtuar përpjekjet e vendeve të ndryshme për qetësimin e situatës dhe arritjen e armëpushimit. Bashkimi Evropian do të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të BE-së. Organizata për Bashkëpunim Islamik ka zhvilluar një takim urgjent për të diskutuar situatën në Gaza. Organizata, bëri thirrje për dhënien fund të sulmeve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Ndërkohë në shumë shtete po organizohen marshe dhe protesta në mbështetje të popullit Palestinës. Sot u protestua edhe në Shkup.
“Palestinën duhet ta lënë të qetë. Kjo që po bëhet atje nuk është njerëzore. Vrasjet më të tmerrshme janë ato të fëmijëve. Është plotësisht jonjerëzore. Kjo duhet të ndalojë”.

“Kombet e Bashkuara duhet të shohin në atë pjesë të botës. Të shohin atë terror dhe gjenocid që bëhet ndaj popullit Palestinës, pa marrë parasysh se cilës fe i përkasin, qoftë të krishterë, qoftë myslimanë”.

“Ne kem ardhur këtu për Palestinën dhe jo për fenë islame apo atë të krishterë”.

“Ideja e kauzës Palestineze nuk është thjesht fetare, ka të bëjë me identitetin, të drejtat njerëzore”.

Bisedimet e paqes po zhvillohen brenda dhe jashtë për më shumë se 25 vjet, por deri më tani nuk e kanë zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button