Imigrantët qepin gojën dhe refuzojnë ujin në Belgjikë, rrezikohet qeveria

Qindra imigrantë pa dokumente, të cilët janë në grevë urie në Bruksel në dy muajt e fundit për të kërkuar të drejta të banimit, kanë filluar ta refuzojnë edhe ujin, duke e rrezikuar veten nga vdekja e qeverinë nga rrëzimi.

Rreth 400 imigrantë, shumë prej të cilëve kanë qenë në Belgjikë për vite të tëra, janë dobësuar pas refuzimit të ushqimit nga 23 maji, ndërsa tri të katërtat e tyre vendosën të premten që t’i refuzojnë ujin dhe ushqimin e lëngët.

Organizata mjekësore që po kujdeset për ta në dy universitete dhe në një kishë, Mjekët Pa Kufij, tha se ata mund të vdesin brenda disa ditëve. Kjo organizatë shtoi se ata e kanë humbur shpresën dhe kanë mendime për vetëvrasje.

Kryeministri belg, Alexander de Croo, ka refuzuar që të bëjnë ndonjë përjashtim nga procedurat normale për azil dhe imigrim për imigrantët që kanë hyrë në grevë urie, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, dy nga shtatë partitë e koalicionit qeveritar, Socialistët dhe Të Gjelbrit, thonë se shefi i qeverisë po tregohet shumë jofleksibil dhe tepër i lidhur me ligjin. Këto parti kanë thënë se nëse ndonjë imigrant vdes, do të dalin nga koalicioni, duke ia pamundësuar mbijetesën qeverisë.

Imigrantët janë kryesisht nga Azia Jugore dhe Afrika Veriore, ndërsa disa prej tyre janë në Belgjikë për më shumë se një dekadë.

LEXO EDHE:

Back to top button