Incidenti me Vjosa Osmanin, Gashi: Unë dhe sigurimi parandaluam më shumë pasoja

Incidenti me Vjosa Osmanin, Gashi: Unë dhe sigurimi parandaluam më shumë pasoja

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kuvendi do të debatojë për interpelancën ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi, në seancën e parë të caktuar pas pushimit të deputetëve, më 3 shtator. Gashi në takim joformal me mediat deklaroi se po jepet një shembull i mirë, në krahasim me interpelancat që në të kaluarën nuk kanë parë dritë. Megjithatë ky është një detyrim që vjen me rregulloren e re të Kuvendit.

Interpelanca ndaj Gashit u iniciua nga deputetët e Të Majtës, pas incidentit në aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku të përfshirë ishin sigurimi që shoqëronte delegacionin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe sigurimi i kreut të Kuvendit Afrim Gashi.

Gashi thotë se sigurimi i tij ka shkuar në aeroport me urdhër të tij, siç thotë ai, për të shmangur incident me pasoja më të mëdha. Ai shton se e ka pasur në plan që të niset edhe ai personalisht në aeroport por është vonuar për shkak të angazhimeve në Kuvend. Ndërkohë sigurimi e ka telefonuar që problemi është zgjidhur. Kreu i Kuvendit thotë se sigurimi i tij nuk ka pasur urdhër të bëjë asgjë joligjore.

“Unë personalisht dhe sigurimi i Kuvendit, në aeroport kemi shmangur një incident i cili mund të kishte më shumë pasoja. Unë jam i kënaqur që gjithçka përfundoi si duhej. Ata persona që i kanë tejkaluar autorizimet e tyre, do të veprojë Ministria e Brendshme ashtu siç e parashikon ligji. Të ju them se gjithmonë kur të duhet të qetësohet situata unë do të veproj dhe gjithmonë do të jem këtu për të mirën e qytetarëve, të mos ketë konflikte, incidente dhe pasoja më të rënda”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Një nëpunës i sigurimit të Kuvendit është suspenduar dhe dy të tjerë janë nën hetim, sipas MPB-së, për këtë incident. Sipas sqarimit të MPB-së, deri te incidenti kishte ardhur pasi sigurimi i presidentes Osmani kishte refuzuar që ajo tu nënshtrohet kontrolleve në aeroport. Sigurimi i Gashit është paraqitur dhe ka karikuar armën në formë kërcënimi ndaj nëpunësve të aeroportit.

Gashi në ditët e fundit ishte edhe në fokus të një eventi tjetër kontradiktor. Ai dhe familja e tij udhëtuan për në dasmë në Kosovë, të shoqëruar nga vetura të tjera private dhe sigurimi zyrtar.

“Unë jam i detyruar si kryetar i Kuvendit gjithkund të lëviz me veturë zyrtare. Unë nuk do të doja të ishte ashtu. Të gjithë do të donim të kishim pak, sado pak jetë private gjë që nuk e kam. Për fat të keq, edhe në këtë ngjarje do të duhej të udhëtoja me veturë zyrtare”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Interpelancën ndaj kreut të Kuvendit kanë njoftuar se nuk do ta mbështesin partitë e tjera të shumicës parlamentare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button