Incidenti në Kumanovë, identifikohet polici i përfshirë dhunë

Incidenti në Kumanovë, identifikohet polici i përfshirë dhunë

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministria e Brendshme konfirmoi informacionin e Alsat mbi përfshirjen e një polici praktikant në grupin e huliganëve të cilët më 14 nëntor sulmuan dy të rinj shqiptar në lagjen “Orta Bunarë” të Kumanovës. Televizioni Alsat ka zbuluar identitetin e tij, i cili nga kamerat e sigurisë mësohet të jetë kapur derisa ka qenë i maskuar dhe duke sulmuar. Bëhet fjalë për Filip Cvetanovskin, i lindur më 5 dhjetor të vitit 2000, banues në Kumanovë. I njëjti nuk ka qenë i arrestuar por vetëm i thirrur në bisedë informative. Për faktin se bëhet fjalë për nëpunës të ardhshëm policor, Kontrolli i Brendshëm brenda MPB-së është duke punuar në vërtetimin e veprimeve të tij nëse të njëjtat bien në kundërshtim me standardet profesionale.

“Është vërtetuar se në dhunën e 14 nëntorit në Kumanovë ka marrë pjesë edhe personi F.C, polic praktikant në SPB Kumanovë. Ndaj tij dhe pjesëmarrësve të tjerë do të ngritën kallëzime penale”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Akoma nuk dihet nëse veprimi për të cilin dyshohet Cvetanovski do të ndiqet nga Prokuroria Themelore e Kumanovës apo nga Prokuroria për ndjekjen e veprave kriminale që burojnë nga nëpunësit policorë dhe policia gjyqësore. Për shkak se i njëjti akoma nuk është zyrtarisht i punësuar në MPB, dyshimet penale që ngarkohen mbi të mund të jenë lëndë e organit themelorë të akuzës në Kumanovë. Prokuroria po pret kallëzimet penale, për të filluar me strukturimin e përgjegjësisë dhe kualifikimin e veprës, gjë që mund të sjell edhe masa kujdesi ndaj disa të dyshuarve, përkatësisht paraburgime. Pistat e motivit nuk bëhen të ditura për aq kohë sa të njëjtat prokuroria nuk i vërteton dhe nuk i shtrin në propozim akuzë. Nga 9 të dyshuar, jo zyrtarisht mësohet se gjysma prej tyre mund të ndiqen me procedurë të shpejtë ndërsa të tjerët me procedurë të rregullt për veprën “dhunë”. Incidenti në lagjen “Orta Bunarë” të Kumanovës ndodhi më 14 nëntor, ku një grup huliganësh sulmuan dy të rinj shqiptarë. SPB Kumanovë brenda ditës njoftoi për lokalizimin, arrestimin dhe intervistimin e personave të dyshuar, duke informuar se rasti nuk ka motive ndër-etnike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button