Incidenti në Strumicë me tifozët, shkas për përplasje politike
Incidenti në Strumicë me tifozët, shkas për përplasje politike
Gazetar: Suad Bajrami
Mesazhet negative të tifo grupeve shfrytëzohen nga politika dhe kjo nuk është në të mirë të ndërtimit të urave mes njerëzve. Kështu komenton sociologu Ali Pajaziti për incidentin e fundit gjatë ndeshjes mes Brerës dhe Shkëndijës në Strumicë, e cila, u shndërrua në temë politike për akuza dhe kundër-akuza mes partive. Sipas profesorit, stadiumet dhe arenat sportive duhet të jenë skenë ku shfaqen vlerat që kanë të bëjnë me kulturë që t’i afrojë njerëzit, në vend të skenës ku ka përplasje në baza etnike, ashtu siç ndodh rëndon në hapësirat ballkanike.
“Dhe këto mesazhe, fat të keq duke filluar nga emrat e tifo grupeve, një pjesë e mirë e të cilëve janë me konotacion negativ, japin mesazhe të cilat nuk i shërbejnë paqes dhe paqe ndërtimit në shoqëri. Këto gjëra, për fat të keq, shfrytëzohen edhe nga politike dhe nga estabilishmenti politik i të dyja palëve. Pra, nacionalizimi i skenave të futbollit nuk është në favor të shoqërisë, mirëkuptimit dhe ndërtimit të urave mes njerëzve. Sepse, sporti në esencë është garë, konkurrencë dhe është miqësim”, tha Ali Pajaziti, sociolog.
Sociologu Pajaziti thekson se ka pasur raste kur tifo grupet janë politizuar, ndërkaq prapa këtyre kanë qëndruar persona të cilët kanë përcjellë mesazhe partiake. Profesori, ngre çështjen se prej nga vjen injektimi i të rinjve me urrejtje, që shfaqet nëpër stadiume.
“Duke e pasur parasysh se jemi shoqëri rekovalesente, gjegjësisht shoqëri që kemi hyrë në një periudhë konfliktuale që njëzet e sa vite, mundësitë për nxitje të këtij agresiviteti dhe kësaj violence janë shumë të mëdha sepse në kujtesën dhe memorien e njerëzve gjithmonë paraqiten sekuenca ose skena militare. Por, është e çuditshme se si te ky brez i ri, të cilët janë adoleshentë, të cilët janë në moshë jashtëzakonisht të re dhe në moshë të njomë, prej nga e marri në këtë injeksion të këtij brutaliteti dhe të kësaj dhune të paparë, duke filluar nga skandimet, gjegjësisht këngët të cilët këndohen, të cilat janë me përmbajtje tekstuale të themi jashtëzakonisht ekskomunikuese dhe tepër trishtuese”, deklaroi Ali Pajaziti, sociolog.
Në ndeshjen e Shkëndisë me Brerën në Strumicë, tifozët tetovarë “Ballistët” e lëshuan ndeshjen në minutën e 13-të duke akuzuar se janë dëbuar nga stadiumi për shkak se kanë shpalosur flamurin kombëtar shqiptar. Megjithatë, referi i ndeshjes, në raportin që e siguroi Alsat thekson se largimi i “Ballistëve” ka ndodhur me vullnetin e tyre dhe pa ndërhyrjen e Policisë apo vetë referit. Ky rast, ka mjaftuar që partitë të kacafyten me njëra tjetrën. BDI-ja opozitare, për këtë ngjarje ka akuzuar koalicionin në pushtet VLEN, duke vlerësuar se ata janë të paaftë për të mbrojtur shqiptarët. Por, VLEN, ka bërë përgjegjës BDI-në dhe Artan Grubin, për siç thonë, në përpjekjet për të krijuar tensione etnike. Në një linjë është me VLEN-in është edhe kryeministri Hristijan Mickoski i cili rastin e quajti provokim dhe paralajmëroi raste të tilla në periudhën në vazhdim. Mickoski, madje si propozim për të shmangur incidentet e tifozëve nëpër fusha të futbollit dha ndalimin e tifozëve në terrenet mysafirë. /Alsat.mk