India nis operacion ushtarak kundër Pakistanit, dëgjohen shpërthime
India nis operacion ushtarak kundër Pakistanit, dëgjohen shpërthime

India tha të mërkurën herët se kishte nisur një operacion ushtarak kundër Pakistanit, duke goditur “infrastrukturën terroriste” si në Pakistan ashtu edhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani, në një përshkallëzim të madh të tensioneve midis dy fqinjëve.
“Këto hapa vijnë pas sulmit barbar terrorist të Pahalgam, në të cilin u vranë 25 indianë dhe një qytetar nepalez”, tha Ministria e Mbrojtjes e Indisë në një deklaratë, duke iu referuar një sulmi muajin e kaluar ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India.
“Veprimet tona kanë qenë të fokusuara, të matura dhe jo-përshkallëzuese në natyrë. Asnjë strukturë ushtarake pakistaneze nuk është shënjestruar. India ka treguar përmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e objektivave dhe metodën e ekzekutimit”, shtoi deklarata.
India tha se nëntë vende në total u shënjestruan.
Shpërthime të shumta të forta janë dëgjuar në Kashmirin e administruar nga Pakistani, sipas një gazetari të CNN, transmeton Gazeta Express.
Ushtria e Pakistanit tha se tre vende ishin goditur me raketa.
“Pakistani do t’i përgjigjet kësaj në një kohë dhe vend që zgjedh vetë”, tha zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze Ahmed Sharif Chaudhry për Geo TV. “Ky provokim i neveritshëm nuk do të mbetet pa përgjigje.”