Inspektohen punimet në Prizren, Aliu e Nikollovski dalin në terren
Inspektohen punimet në Prizren, Aliu e Nikollovski dalin në terren

Gazetare: Melihate Rustemi
Ndërrtimi i rrugës Prizren-Tetovë do të sjell përfitime të mëdha për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, sidomos në zhvillimin ekonomik. Ndërsa inspektuan punimet nga ana e Kosovës, ministrat dhe zv ministrat e Transportit dhe Lidhjeve e dy vendeve theksuan se ky projekt përveç se do të rrisë bashkëpunimin mes dy shteteve do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave.
“Pjesa jonë e projektit I ka 22 kilometra që është duke u zhvilluar tani, mbesin edhe 5 kilometra të tjerë nga pika afër këtu ku jemi deri te hyrja e tunelit të cilat nuk janë dizajnuar për shkak se deri kur të kryhet projekti I tunelit dhe ta dimë më saktë se ku do të jetë hyrja atëherë do të mundemi të vazhdojmë edhe me pjesën tjetër të projektit deri në hyrje të tunelit. Ky projekt e ka koston rreth 35 milionë euro me 22 kilometra të cilat do të krijojnë lidhje direkte të autostradës me tunelin dhe poashtu përmes rrugëve ekzistuese, nga fshati Manastiricë do të kemi lidhje edhe në rrugën që e lidh edhe Prevalllën”, tha Liburn Aliu, ministër i Transportit Kosovë.
Pas përfundimit të rrugës, koha e udhëtimit do të shkurtohet nga tre orë në më pak se një orë, duke ofruar një lidhje më të shpejtë dhe të sigurt përmes maleve të Sharrit.
“Sot jemi këtu për të treguar që si Qeveri kemi ndarë buxhetin për vitin 2025 sa i përket fazës së projektimit, buxhet ky që ndahet nga Ndërmarrja Publike “Rrugët shtetërore” në bazë të një memorandum që është I nënshkruar në vitin 2021 dhe tani në vitin 2025 menjëherë po fillojmë të punojmë duke mos u ndalur si qeveri e re për të filluar me fazën e projektimit të pjesës së 13 kilometërshit, rrugës që ka të bëj në territorin e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Kaltrina Zekolli Shaqiri, zv ministre e Transportit.
Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km. Komuna e Tetovës tashmë ka nisur aktivitetet rreth projektit për zgjerimin e rrugës e cila do të fillojë nga lidhja për në Shipkovicë e deri tek tuneli që do lidhur rrugën e Prizrenit me anën tjetër, atë të Kosovës. Kjo rrugë do të zgjerohet dhe asfaltohet me mjete buxhetore të siguruara nga Qeveria./ Alsat.mk