Inspektorati mbyll sallën e sportit të shkollës Niko Nestor në Strugë, është e pasigurt
Inspektorati mbyll sallën e sportit të shkollës Niko Nestor në Strugë, është e pasigurt

Gazetar: Miki Trajkovski
Për shkaqe sigurie, Inspektorati Shtetëror i Punës e ka mbyllur sallën e sportit, e cila ndodhet brenda Shkollës së Mesme “Niko Nestor” në Strugë. Salla është mbyllur, megjithëse e përdorin më shumë se 1500 nxënës dhe gjashtë klube sportive. Mbyllja erdhi pasi kontrolleve të shtuara pas tragjedisë së Koçanit. Salla e sporteve është në gjendje të keqe për vite me radhë, çatia rrjedh në shumë vende, dhe gjatë shirave, ndeshjet dhe stërvitjet janë anuluar, pasi ishte rrezik për të luajtur ndeshje ose për t’u stërvitur në kushte kur nevojiteshin të ndizen edhe ndriçuesit.
“Janë konstatuar parregullsi, të cilat kanë treguar se ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe shëndetin e punonjësve. Pas këtyre shqyrtimeve dhe sipas Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, është lëshuar vendim për ndalimin e përdorimit të sallës, zhvillimin e mësimit, aktiviteteve sportive dhe stërvitjeve, deri në mënjanimin e parregullsive”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Për shkak të parregullsive të konstatuara, janë njoftuar Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Komuna e Strugës, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Drejtoresha e Shkollës Keti Jankoska nuk pranoi të japë deklaratë me arsyetimin se ajo vet do të vendosë se për kë do të flasë. Jankoska për disa vite e udhëheq shkollën, ndërsa deri tani nuk ka folur publikisht për këto probleme. Ndërkohë nxënësit thonë se nuk janë ndjerë të sigurt në sallë.
Për gjendjen e rëndë të sallës flasin edhe trajnerët e Klubeve sportive.
“Kjo sallë sportive është në të njëjtën gjendje tash e 7 vite. Ka pasur ndërhyrje të vogla, riparime çatie, rikonstruksion të tabelës së rezultateve, dhomën e zhveshjes që e përdorim për basketboll për meshkuj dhe femra e kemi rinovuar para tre vjetësh me pllaka. Por ndoshta askush nuk ka fonde të mjaftueshme ose nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për ta zgjidhur këtë. Rrjedh në 7-8 vende kur ka të reshura, dhe ato ndeshje i luajmë pa përdorur dritat”, deklaroi Vladimir Gjoroviq – trajner i klubit të basketbollit të femrave Drini i Zi.
Problemi më i madh, përveç kushteve, është edhe pronësia e saj. Përdorues janë disa subjekte, por e menaxhon Lidhja e Sporteve dhe shkolla e mesme “Niko Nestor”. Nga Lidhja e Sporteve pretendojnë se salla është e sigurt, pasi të gjitha riparimet e bëra deri tani janë realizuar nga persona të kualifikuar. Ata thonë se ende nuk është bërë pranimi teknik i sallës.
“Nuk është pranuar sepse nuk ka përfunduar, sepse ka pasur kontest gjyqësor për tokën. Salla është e sigurt. Deri tani është e sigurt, sepse të gjitha organizatat sportive kanë komisionet e tyre për të vendosur nëse mund të zhvillohen garat atje. Si kryetar i Lidhjes së Sporteve, ndiheni përgjegjës nëse ka ndodhur diçka dhe për kushtet në atë sallë? Epo, normalisht, por asgjë nuk ka ndodhur dhe asgjë nuk mund të ndodhë”, tha Riste Çurkoski – Kryetar i Sindikatës së Sporteve.
Nga sa mund të vërehet, hyrja në sallë është aq e ngushtë sa vetëm pak njerëz mund të kalojnë në të njëjtën kohë. Salla e ndërtuar në vitin 1983 nuk ka ngrohje dhe ujë të ngrohtë. Në parket ka vrima në disa vende, të cilat po rregullohen vazhdimisht. Në vend të koshave të plehrave janë vendosur kuti kartoni, po ashtu salla është plot me rrjeta merimangash. /Alsat.mk