Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, nevojiten ndryshime ligjore

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, nevojiten ndryshime ligjore

Gazetar: Suad Bajrami

Përveç premtimeve nga zyrtarët politikë për zgjidhjen e problemit me të punësuarit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve që katër muaj kanë mbetur pa rroga, tani për tani nuk shihen hapa konkrete. Në fakt Inspektorati mund të rikthehet në normalitet vetëm nëse bëhen ndërhyrje ligjore, pasi problemi është shkaktuar në dhjetor të vitit të kaluar kur Kuvendi miratoi ndryshimet e Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese.

Në këtë rast, Inspektoratit iu hoq statusi juridik edhe pse i njëjti garantohet me nene të posaçme në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Ministria e Drejtësisë, ia ka marrë buxhetin por nuk lëshon rroga për të punësuarit e Inspektoratit, nën arsyetimin se Ministria e Financave nuk i jep pajtueshmëri derisa të harmonizohen ligjet, pasi Inspektorati me dy ligje ka status juridik, ndërsa me një tjetër nuk ka.

Por kur do të jenë gati ndryshimet ligjore, nuk dihet.

Për shkak të mungesës së rrogave, Alsat dje njoftoi se në Inspektorat ka filluar bojkoti. Të punësuarit gjithashtu kanë mbetur pa sigurim pensional, e që është më tragjike edhe pa sigurim shëndetësor. Për këtë, gjatë kësaj periudhe të punësuarit janë detyruar që të gjitha shërbimet në spitale t’i paguajnë në mënyrë private. Fati i Inspektoratit momentalisht është në udhëkryq.

Neglizhenca e shtetit ndaj këtij institucioni kyç për mbrojtjen e respektimit të gjuhës shqipe nëpër institucione ka arritur majat. Inspektorati momentalisht është jofunksional, në kuptimin e plotë të fjalës. Situata është bërë alarmante deri në pikën që Inspektorati madje nuk ka as letër e ngjyrë për të kryer detyrat elementare. Veç kësaj, prej shtatorit të vitit të kaluar Inspektoratit i janë përgjysmuar edhe zyrat, respektivisht prej 6 në 3. E të mos flasim që shteti shpërfill ndër vite kërkesën modeste të inspektorëve për një automjet zyrtar, diçka që do të ishte e paimagjinueshme të ndodhte në ndonjërin prej inspektorateve tjera. Deri më tani inspektimet në terren, janë bërë me vetura dhe shpenzime private./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button