Institucionet ngecin në zbatimin e Konventës së Stambollit

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare (Konventa e Stambollit) nuk ndjek hapat e parashikuara të zbatimit nga institucionet përgjegjëse vendore. Në mënyrë plotësuese, pandemia ndikoi në ndërprerjen e aktiviteteve të nisura, prolongimin e atyre që duhet të ishin filluar në ndërkohë si dhe prolongimin e aktiviteteve përgatitore dhe planeve për hapat e ardhshëm. Këtë e kanë konstatuar edhe organizatat që merren me mbrojtjen e grave viktima të dhunës.

“Institucionet kanë punuar me kapacitet të zvogëluar dhe kanë treguar trajnim dhe gatishmëri të pamjaftueshme për një përgjigje të plotë ndaj dhunës me bazë gjinore në kohë krize. Përshtypja e përgjithshme është se përputhja me standardet e Konventës nuk është një çështje prioritare për shtetin, veçanërisht në kohë krizash. Zbatimi i dobët i aktiviteteve që synojnë parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është gjithashtu shqetësues. Shumica e aktiviteteve të planifikuara nuk kanë filluar të zbatohen fare, dhe disa prej tyre janë në vazhdim ose pjesërisht të zbatuara”, sqaroi Ana Avramoska Nushkova, nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.

Përgatiti: Fatlume Dervishi

Të pyetur nëse përmbushja e Planit të veprimet për zbatimin e Konventës së Stambollit shkon sipas parashikimeve, nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale thonë se zbatimi shkon në përputhje me qëllimet strategjike. Sipas tyre, një raport me vlerësimin e realizimeve konkrete është në përgatitje e sipër.

“Zbatimi i Planit të Veprimit bëhet në përputhje me qëllimet e planifikuara strategjike. Një nga aktivitetet më të rëndësishme në këtë Plan Veprimi ishte miratimi i një Ligji sistematik për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna kundër grave dhe dhuna në familje i cili do të rregullojë parandalimin dhe mbrojtjen nga të gjitha llojet e dhunës me bazë gjinore. Gjatë kësaj periudhe, përgatitet një raport mbi nivelin e zbatimit të Planit të Veprimit. Dinamika e zbatimit të planit të veprimit varet kryesisht nga procesi i miratimit të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna kundër grave dhe dhuna në familje, i cili duhet të sjellë ndryshime edhe në ligje të tjera. Ky është një proces i gjatë që institucionet duhet të zbatojnë brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

LIGJI PËR PARANDALIM DHE MBROJTJE, HAP I RËNDËSISHËM

Konventën e Stambollit filloi të firmoset nga palët më 11 maj 2011. Maqedonia e nënshkroi atë më 8 korrik 2011, që nënkupton se ishte ndër vendet e para që e mori si detyrim por në Kuvend e ratifikoi shumë vite më vonë, në dhjetor të 2017-ës. Ajo hyri në fuqi në qershor të 2018-ës. Ky dokument vendosi bazat e përbashkëta dhe të standardizuara të shteteve që e nënshkruan për marrjen e angazhimeve për krijimin e mekanizmave në shërbim të viktimave të dhunës, parandalimit dhe kujdesit.

Miratimi i Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare më 27 janar të këtij viti u konsiderua hap i rëndësishëm në ndihmë të kësaj beteje. Ky ligj, praktikisht është pika e parë e Planit të veprimit për zbatimin e konventës nga për vitet 2018-2023, të përpiluar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, por që sipas po të njëjtit plan, duhet të ishte miratuar në vitin 2019 (kishte dy vite vonesë).

Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje është në përputhje me standardet evropiane dhe Konventën e Stambollit. Institucionet detyrohen të marrin masa për parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje, mbrojtjen e grave, të sigurojnë shërbime për viktimat e dhunës, risocializimin dhe riintegrimin e tyre. Ligji definon termin gjini, dhunë në baza gjinore, grua, viktimë, identitet gjinor, orientim seksual, dhunë familjare, dhunë ndaj grave, person transgjinor, etj. Me ligj ndalohet diskriminimi në bazë të të gjithë këtyre kritereve. Ai do të fillojë të zbatohet tre muaj pas hyrjes në fuqi, nga 6 maji 2021.

VETEM 15% E VIKTIMAVE RAPORTOJNË DHUNËN

Analizat e përgjithshme tregojnë se vetëm 15% e viktimave të dhunës në baza gjinore ose dhunës familjare që ndodhen brenda territorit të vendit e raportojnë atë te organet kompetente. Nga janari deri në shtator të vitit të kaluar (2020) janë regjistruar 1168 raste të dhunës prej të cilëve 4 kanë qenë për dhunë seksuale, 585 për dhunë fizike dhe 813 për dhunë psikike. Në 90% të rasteve të paraqitura, kryerësit e dhunës kanë qenë burra. Dhuna që tregohet brenda këtyre shifrave ka rënduar mbi 50 vajza të mitura dhe 52 djem të mitur të cilët kanë qenë viktimë bashkë me nënat e tyre.

VIKTIMAT E DHUNËS STIGMATIZOHEN DHË DËNOHEN PUBLIKISHT

Ana Avramoska Nushkova, nga Rrjeti kundër dhunës ndaj grave, thotë se ngecjet në zbatimin e Konventës nuk kanë mundësuar ndryshimin e pozitës në të cilën ndodhen gratë viktime në vend.

“Gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje janë ende të stigmatizuara në vendin tonë. Fatkeqësisht, dënimi publik, fillimisht nga anëtarët më të afërt të familjes, dhe më pas nga mjedisi më i gjerë, ende ekziston dhe shkakton ngarkesa të thella psikologjike mbi ta. Qëllimi i parandalimit është një nga aktivitetet vendimtare në mënyrë që të hiqet “numri gri” i rasteve të padeklaruara dhe të jetë në gjendje të regjistrojë ngjarjen e pafat në mënyrë që t’u jepet institucioneve kompetente mundësia të veprojnë. Problemi i parë dhe më i madh është që gruaja të njohë dhunën dhe të inkurajohet ta raportojë atë”, shton Ana Avramoska Nushkova, nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Problemi tjetër, sipas Nushkovës, është besimi te institucionet që duhet të ofrojnë mbrojtjen fillestare.

“Viktimat kanë frikë se edhe nëse raportojnë, asgjë nuk do të ndryshojë në lidhje me situatën e tyre dhe atëherë dhuna mund të intensifikohet. Problemi i tretë është krijimi i shërbimeve funksionale për promovimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje. Një problem tjetër janë sfidat financiare me të cilat përballen gratë viktima të dhunës në familje të cilat janë larguar ose duan të largohen nga një mjedis i dhunshëm”, shton Nushkovska.

Ministria e Drejtësisë informon se për momentin është duke përgatitur ligj për kompensimin e viktimave të veprave kriminale sipas të cilit viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare do të dëmshpërblehen. Afati për miratimin e tij, sipas planit të veprimit, ka qenë në vitin 2018, shumë kohë përpara se pandemia të fillonte. Dëmshpërblimi është obligim që buron nga Konventa.

Ndërkohë, ka pasur qëndrime të ndryshme politike për rëndësinë e përforcimit ekonomik të viktimave të dhunës. Sipas disa prej deputetëve të Kuvendit, pavarësia financiare ndihmon viktimën të largohet nga rrethi i dhunshëm.

“Kjo është më e rëndësishmja sepse nga varësia ekonomike vjen deri te mosparaqitja (e dhunës), te ndryshimi i dëshmive gjatë procedurave, etj. Ndoshta kjo duhet të rregullohet me ligje ose akte të tjera nënligjore por vlerësoj se atje ku kemi organe shtetërore, ku kemi investime të karakterit publik, ku kemi investime të reja në ekonomi, në biznes, kudo që kemi elemente të ndihmës së shtetit ndaj këtyre investimeve, mundet të parashikohet e drejta e këtyre viktimave të dhunës në baza gjinore ose të dhunës familjare të kenë përparësi për punësim”, vlerëson deputeti Panço Minov, në qëndrimin e shpalosur në Kuvend gjatë votimit të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje.

“Padyshim që në krijimin e këtij mentaliteti ndikon edhe sjellja e shtetit që ka në raport me gruan dhe me femrën në përgjithësi në shtet. Kur jemi te mentaliteti i shtetit ne duhet të kuptojmë një ditë e më parë se femra ka nevojë për pavarësi ekonomike. Asaj i duhet forcë në vendimmarrje. Sepse dhuna vjen pikërisht edhe si rezultat i pabarazisë. Hendeku gjinor i papunësisë jo që nuk është përmirësuar në favor të femrave por ai është përkeqësuar edhe më shumë”, vlerëson deputetja Ilire Dauti.

INSTITUCIONET, PA PLANE VEPRIMI DHE PA DETAJE PËR IMPLIKIMET FINANCIARE

Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave në fund të vitit të kaluar publikoi një raport ku analizohet me detaje zbatimi i Konventës së Stambollit në periudhë dyvjeçare. Raporti në fjalë zbardh të gjitha mangësitë në zbatimin e obligimeve që burojnë nga Konventa. Disa prej institucioneve madje nuk e kanë marrë aq seriozisht këtë obligim.

“Disa nga institucionet kompetente, në përputhje me përgjigjet ndaj kërkesave të paraqitura për qasje në informacionin publik, raportuan se nuk kanë hartuar plane operative sepse nuk kanë identifikuar një nevojë të tillë, disa ministri kanë përgatitur plane operative vetëm për vitin 2019, por jo për vitin 2020 Për më tepër, disa prej tyre nuk e publikuan planin operativ publikisht në faqen e tyre të internetit, në përputhje me detyrimin e përcaktuar nga Qeveria, i cili nuk u siguron qytetarëve depërtim në rrjedhën dhe përpjekjet e shtetit për të siguruar mbrojtje nga dhuna, dhe kështu ata nuk janë dhe as nuk siguron një mundësi për të thirrur institucionet kompetente për llogari”, theksohet në Raportin e Rrjetit nacional kundër dhunës.

Të kontaktuar tani, disa muaj pas publikimit të këtij raporti, Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, pjesë e grupacionit më të madh të organizatave civile, Platformës për barazi gjinore, deklarojnë se nuk ka ndonjë përmirësim në ndërkohë, që nga publikimi i tij dhe deri tani, përveç miratimit të ligjit shumë të rëndësishëm, Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare. Ana Avramovska Nushkova për më tepër thotë se qëndrimi i tyre është që Plani i veprimit (i MPPS-së për periudhën 2018-2023) duhet të rishikohet dhe të vendosen afate të reja, në përputhje me situatën reale në të cilën ndodhet tani vendi në fushën e zbatimit të Konventës.

Një ndër problemet në zbatimin e Konventës së Stambollit është mospasja e planeve financiare të detajuara për secilin institucion që përfshihet. Në fakt, Konventa e Stambollit detyron palët nënshkruese të sigurojnë mjetet e nevojshme financiare për zbatimin e detyrimeve që burojnë prej saj.

“Palët duhet të gjejnë mjete të nevojshme financiare dhe burime njerëzore për zbatimin adekuat të politikave të integruara, masave dhe programeve për të parandaluar dhe luftuar të gjitha format e dhunës të mbuluara nga fusha e kësaj Konvente, përfshirë edhe aktivitetet që bëhen nga organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile”, theksohet Artikullin 8  të Konventës që flet për “Burimet financiare”.

Por, në asnjë nga aktivitetet e Planit të veprimit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për zbatimin e Konventës, nuk ka detaje, shuma ose të dhëna për mjetet e parapara financiare për zbatimin e detyrimeve nga ana e institucioneve. Në të gjithë planin shkruan që mjetet do të sigurohen nga buxheti i institucionit përkatës dhe nga donacionet, por jo se sa është shuma e mjeteve të cilat nevojitet dhe që do të ndahen.

Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare, edhe pse i gjatë dhe i detajuar, me shumë obligime për organet kompetente, shkruan:

“Miratimi i këtij ligji nuk shkakton pasoja financiare mbi buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Shpenzimet shtesë janë parashikuar në buxhetin e institucioneve kompetente për veprim”, theksohet në ligjin në fjalë.

Mungesa e detajeve për implikimet financiare gjatë luftës kundër dhunës nuk kalon pa u kritikuar.

“Do të gëzohesha për ligje të cilat kanë edhe implikime financiare. Për fat të keq, pa mjete, këto standarde që me përgjegjësi them se jam ndër më të lartat që janë përfshirë në ndonjë ligj, vështirë realizohen. Me të drejtë atëherë mund të themi se nuk është vetëm iluzionizëm juridik por është realitet në shoqëri. Rrugën e kemi të gjatë por mendoj se ecëm me hapa të mirë”, deklaroi deputetja Gordana Siljanovska Davkova në seancën parlamentare ku u votua ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare.

KUSHTET REALE, LARG PRITSHMËRIVE

“Zbatim i dobët në nivel shqetësues vërehet në aktivitetet të cilat kanë për qëllim parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, konkretisht mungon zbatimi i fushatave për ngritjen e vetëdijes publike, modernizimi i përmbajtjeve mësimore të cilat shfrytëzohen në procesin arsimor…”, thuhet në Raportin e Rrjetit nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.

Përshtypja e krijuar është se kjo çështje nuk trajtohet si prioritet nga institucionet edhe pse parandalimi është ndër shtyllat kyçe të Konventës të cilën Maqedonia ka marrë përsipër ta zbatojë. Parandalimi nëpërmjet edukimit në shkolla, propozohet edhe nga deputetët.

 “Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është jo vetëm sanksionimi i dhunës, trajtimi ndaj viktimave dhe mbrojta e tyre, por edhe parandalimi. Kyç është edukimi familjar por mendoj se aty mund të prekim shumë pak duke pasur parasysh se shoqëria jonë gjithsesi është patriarkale, tradicionale. Por, mediat dhe arsimi mund të ndihmojnë në rregullimin e kësaj ndarja jo e drejtë historike e fuqisë mes burrave dhe grave”, vlerëson deputetje Maja Moraçanin.

Shqetësuese është edhe pasqyra e kushteve për trajtimin e viktimave post-dhunës. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njofton se në territorin e vendit ka 13 shërbime të specializuara për kujdes ndaj viktimave të dhunës në baza gjinore dhe dhunës familjare. 8 prej tyre janë në kompetencë të ministrisë. Të financuara nga MPPS por të menaxhuara nga sektori civil janë tre, të financuara nga pushteti lokal port ë menaxhuara nga organizatë qytetare është 1 dhe një shoqatë e financuar me mjete private. Në përgjigjen e tyre thonë se në pajtim me Konventën e Stambollit, ministria planifikon hapjen e shërbimeve të reja të specializuara në territorin e vendit. Nuk jepet afat se kur kjo do të ndodhë. Nuk dihet as kur do të vendoset ne përdorim aplikacioni celular “be safe” i cili u prezantua të jetë një lehtësim për paraqitjen e dhunës.

Sipas Platformës për barazi gjinore, shteti duhet të përqendrohet në fushën e trajtimit të viktimave.

“Sipas ligjit të ri mbi dhunën ndaj grave dhe dhunës në familje, shteti duhet të miratojë një program për riintegrimin dhe rehabilitimin, i cili do të ndihmonte viktimat në disa fusha kryesore për pavarësinë e tyre më të shpejtë dhe kthimin në jetën shoqërore. Fushat kryesore që kanë nevojë për mbështetje janë: strehimi (i përkohshëm), këshillimi psikologjik, punësimi (masa aktive në përputhje me Planin e veprimit të Agjencisë së Punësimit), lehtësimet në qasjen e ndihmës financiare në përputhje me dispozitat ligjore, shëndetin dhe arsimin”, vlerësojnë për Alsat nga Platforma për barazi gjinore.

Për këtë çështje, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale premton një program për riintegrimin e viktimave.

“Po, gratë viktima të dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje kanë qasje në shërbimet shëndetësore dhe sociale. Zyrtarët në institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore dhe sociale janë të detyruar të sigurojnë mbështetje dhe ndihmë dhe t’i referojnë ato tek ofruesit e tjerë të duhur të shërbimeve të specializuara (neni 88). Gjithashtu, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të miratojë një Program riintegrimi për viktimat e dhunës përfshirë mundësinë e strehimit të përkohshëm, këshillimi psikologjik me mentorim, lloje të ndryshme të ndihmës financiare që synojnë posaçërisht gratë viktima të dhunës, mundësitë për arsim dhe trajnim në fusha të ndryshme dhe masat e punësimit të përcaktuara me ligj. Masat e punësimit dhe masat e tjera të ndihmës dhe mbështetjes duhet t’i përshtaten nevojave specifike të viktimave”, sqarojnë për Alsat nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Edhe kjo nuk dihet se kur do të gjejë zbatim konkret.

Organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e viktimave të dhunës në baza gjinore ankohen se janë lënë anash nga përpilimi i planeve të veprimit, strategjive, draft-ligjeve dhe aktiviteteve që ndërmerren në frymën e zbatimit të Konventës.

“Palët duhet të njohin, të inkurajojnë, të mbështesin, në të gjitha nivelet, punën e organizatave joqeveritare dhe të shoqërisë civile aktive në luftën ndaj dhunës ndaj grave dhe të vendosin bashkëpunim efektiv me këto organizata”, thuhet në Konventën e Stambollit.

Rrjeti për mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare, në fund të analizës në Raportin e detajuar sugjeron “Vendosjen e mekanizmit për ndjekjen e zbatimit të Planit nacional të veprimit, formimin e trupit të veçantë për ndjekjen e zbatimit, me rëndësi kyçe për përparimin e sistemit të parandalimit dhe mbrojtjen nga dhuna në baza gjinore. Përgatitjen dhe prezantimin e raporteve tremujore ose gjashtëmujore për zhvillimin e zbatimit të aktiviteteve, për secilën ministri ose institucion në veçanti”. Sipas OJQ-ve, kjo do të mundësonte ndjekje më të thjeshtë dhe reagim në kohë nëse paraqiten pengesa gjatë zbatimit të disa aktiviteteve.

***

Lajmëro dhunën familjare në kontaktet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në 070/075/077 141 700 ose (KËTU)

Paraqit dhunën në formë elektronike në info@prijavinasilstvo.mk

Paraqit dhunën te Avokati i Popullit (contact@ombudsman.mk)

Paraqit dhunën ndaj fëmijëve në Ambasadën e parë të fëmijëve në botë “Megjashi” në linjën pa pagesë 0800 1 2222

Paraqitu në Shoqatën Maqedonase të juristëve të rinj për mbështetje juridike dhe psikologjike 075/238 837 dhe 071/277 180

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button