Instituti për Studimin e Luftës: Ukraina rrit prodhimin e armëve, por ka nevojë për ndihmë nga Perëndimi
Instituti për Studimin e Luftës: Ukraina rrit prodhimin e armëve, por ka nevojë për ndihmë nga Perëndimi

Ukraina po rrit prodhimin e saj vendas të armëve, të paisjeve ushtarake dhe dronëve, por ende ka nevojë për ndihmë të konsiderueshme nga Perëndimi për të kundërshtuar agresionin rus, sipas një raporti të Institutit për Studimin e Luftës me qendër në Uashington.
Analistët citojnë në mënyrë specifike deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se kompanitë ukrainase aktualisht mund të prodhojnë katër milionë dronë në vit dhe kontratat për prodhimin e 1.5 milionë dronëve tashmë janë nënshkruar.
Përveç kësaj, sipas Zelensky, Ukraina është në gjendje të prodhojë 15 instalime artilerie vetëlëvizëse Bohdan çdo muaj dhe një test i suksesshëm i një rakete balistike të prodhuar në vend u krye së fundmi, sipas një raporti të publikuar në faqen e internetit të Institutit.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov theksoi se Ukraina do të vazhdojë t’i japë përparësi prodhimit vendas të dronëve dhe raketave me rreze të gjatë, përfshirë raketat balistike.
Në të njëjtën kohë, kryeministri ukrainas Denys Shmykhal njoftoi se në propozim-buxhetin e shtetit për vitin 2025 parashikohen shtatë miliardë dollarë për blerjen e armëve dhe paisjeve ushtarake, që është 65 për qind më shumë se këtë vit. Sipas tij, Ukraina trefishoi prodhimin vendas të armëve në vitin 2023 dhe e dyfishoi atë në tetë muajt e parë të vitit.
Sipas Institutit për Studimin e Luftës, përpjekjet e Ukrainës për të zgjeruar prodhimin e brendshëm ushtarak do ta lejojnë atë të reduktojë varësinë e saj afatgjatë nga ndihma ushtarake perëndimore.
Megjithatë, Ukraina ka ende nevojë për ndihmë të konsiderueshme nga Perëndimi në vitet e ardhshme për të shmangur agresionin rus dhe për të çliruar territore të rëndësishme strategjike të pushtuara aktualisht nga trupat ruse, thuhet në raportin e Institutit.