Integrimi evropian i vendit është i mundur vetëm me konsensus mes të gjitha partive politike 

Integrimi evropian i vendit është i mundur vetëm me konsensus mes të gjitha partive politike 

Gazetar: Lluka Andreev

Suksesi i integrimit evropian do të varet nga konsensusi i të gjithë faktorëve politikë në vend, është shprehur ambasadori evropian Dejvid Gir, duke ia prezantuar Qeverisë raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit, shkruan Alsat.

Ai tha se është e nevojshme përshpejtimi i procesit të reformës përmes miratimit të zgjidhjeve ligjore, reformat në administratë, për të cilat Kuvendi ka rol kyç. Gir përsëriti vlerësimin e raportit se Kuvendi punon në kushte të polarizimit politik.

“Ky vend është negociator dhe procesi i skriningut ka nisur, por duhet të ecë paralelisht me reformat dhe ato duhet të përshpejtohen. Ky raport tashmë përcakton mënyrat me të cilat ato reforma duhet të përshpejtohen. Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane duhet të luajë rolin e tij ndërsa Parlamenti do të ketë rol vendimtar gjatë gjithë procesit të negociatave dhe do të jetë vendimtar në miratimin e zgjidhjeve ligjore”, tha David Gir – ambasador evropian.

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Bojan Mariçiç drejtoi gishtin drejt opozitës për agjendën e ngadaltë të reformave. Sipas tij, opozita ka strategji për bllokimin e Kuvendit dhe i bëri thirrje për të treguar aspiratën e saj drejt BE-së.

“Haptas i shtrij dorën Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe kryetarit të tij Aleksandar Nikollovski që të ulemi dhe të diskutojnë se si të bëjmë një agjendë reformuese, lidhur me Raportin e KE-së, që në Kuvend pjesa legjislative e asaj agjende të kalojë pa bllokime dhe pa pengesa, dhe njëkohësisht do t’i japë mundësi opozitës të marrë pjesë në të dhe të kritikojë e propozojë”, u shpreh Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Mariçiq shtoi se pas përfundimit të skriningut vijon një proces i rëndësishëm i përcaktimit të pozicioneve negociuese të shtetit, për çka është e nevojshme edhe mbështetja e opozitës.

I pyetur për ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë hapjen e grupit të parë negociator me Brukselin, Mariçiq u përgjigj se për momentin nuk janë krijuar kushtet për inicimin e ndryshimeve kushtetuese dhe nuk pret që kjo të ndodhë deri në fund të vitit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button