Intelektualët shqiptarë letër të hapur Gjykatës Kushtetutese, të mos abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe
Intelektualët shqiptarë letër të hapur Gjykatës Kushtetutese, të mos abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe

Mbi 250 intelektualë shqiptarë kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të mos abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ata thonë se kanë arsye të dyshojmë se gjykatësit kushtetues mund të bëhen pjesë e realizimit të një skenari me motive politike, që ka për qëllim pikërisht atë që po deklarohet haptas në nivelin më të lartë shtetëror.
“Duke pasur parasysh pozitën dhe rolin kushtetues që keni Ju si përfaqësues të institucionit më të lartë juridik, i cili sipas Kushtetutës është i pavarur dhe pa ndikime politike, vazhdojmë të shpresojmë se nuk do të lejoni realizimin e skenarëve të tillë, të cilët cenojnë ndjenjat e çdo qytetari shqiptar. Një veprim i tillë do të fundoste besimin e qytetarëve, veçanërisht të atyre shqiptarë, në funksionimin e institucionit që ju përfaqësoni dhe që pritet të marrë vendime në mënyrë të pavarur, sipas bindjeve tuaja, bazuar në Kushtetutë dhe ligj, e jo sipas ndikimeve politike ngado që të vijnë ato”, thuhet në Letrën e intelektualëve.
Sipas letrës së intelektualëve, edhe në të kaluarën, vendimet e Gjykatës kanë shkaktuar tensione kurdo që kanë qenë të njëanshme dhe arbitrare.
“Ju, si anëtarë të një institucioni që ka për detyrë mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të vlerave që promovon Kushtetuta, veçanërisht në aspektin e respektimit të ndërsjellë të të drejtave etnike në një shoqëri multietnike siç është Republika e Maqedonisë së Veriut, keni obligim ligjor t’i ruani këto vlera”, thuhet në Letrën e intelektualëve
Në mesin e firmëtarëve janë Rektorët e tre universiteteve në gjuhën shqipe: Prof. Dr. Abdulmenaf Bexheti – UEJL, Prof. Dr. Jusuf Zejneli – UT, Prof. Dr. Izet Zeqiri – UNT, po ashtu profesorët Agim Vinca, Agni Dika, Nuri Bexheti, Abdulla Aliu, Asllan Bilalli, Safet Emruli, Qebir Avziu, Jeton Shasivari, Fatmire Lumani, Mersim Maksuti, Arta Bilalli, Fadil Zendeli, Bashkim Ziberi, Muamet Shehabi, Kenan Ferati, Etem Iseni, Ruzhdi Matoshi, Fati Iseini.
Gjykata Kushtetuese do të ketë në rend dite nismat për kushtetutshmërinë e ligjit për përdorimine gjuhëve si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e 11 dhjetorit. I gjithë ligji, qoftë në tërësi apo në pjesë të veçanta, me të gjitha nenet e tij, është në shënjestër të 13 iniciativave që përfshijnë 46 subjekte denoncuese.
E vetmja gjë e pakontestueshme është paragrafi 1 që thotë: Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu, në intervistën e fundit për Alsat konfirmoi se ai dhe gjykatësi tjetër shqiptar Naser Ajdari nuk do të marrin pjesë në seancë me qëllim që të mos ketë mbivotim. Sipas konkluzionit të sjellë në vitin 2022, nëse së paku një gjykatës mungon, për tema të tilla të rëndësishme nuk mund të sillet vendim./Alsat.mk