Inteligjenca amerikane paralajmëron për rreziqet nga Kina

Shefat e agjencive të inteligjencës amerikane paralajmëruan për një “rrezik të pashembullt” nga ana e Kinës. Gjatë një dëshmie para Kongresit, ata përmendën si faktor të këtij kërcënimi, agresionin rajonal të Pekinit, aftësitë kibernetike dhe ndikimin ekonomik.

“Kina gjithnjë e më shumë është një konkurente që sfidon Shtetet e Bashkuara në shumë fusha, duke bërë presion për rishikimin e normave globale në atë mënyrë që favorizojnë sistemin autoritat kinez”, tha para Komitetit për Inteligjencë të Senatit amerikan, Avril Haines, drejtore për Inteligjencë Kombëtare.

“Kina gjithashtu posedon aftësi të konsiderueshme kibernetike që nëse përdoren, më së paku, mund të shkaktojnë çrregullime të përkohshme të infrastrukturës kritike brenda Shteteve të Bashkuara”, tha Haines.

Ne deklaratën hyrëse, gjatë dëshmisë së saj, Haines përmendi edhe përpjekjet ruse për të minuar ndikimin e SHBA-së, pastaj rolin e Iranit në paqëndrueshmërinë e Lindjes së Mesme dhe terrorizmin global.

Që nga viti 2019, shefat e inteligjencës amerikane nuk mbajtën dëshminë për “Rreziqet në Botë”, pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, shpesh është përplasur me agjencitë e sigurisë kombëtare.

Kryetari i Komitetit për Inteligjencë, senatori demokrat, Mark Warner, tha se ai ishte “zhgënjyer” që nuk kishte pasur seancë dëgjimore gjatë vitit të kaluar. Senatori republikan, Marco Rubio, gjithashtu foli për rëndësinë e mbajtjes së seancës dëgjimore.

Warner tha se është i shqetësuar që Pekini mund të bëjë përpjekje që edhe me teknologjitë tjera në zhvillim, të bëjë atë që bëri me Huawein, të cilën u mundua ta bëjë lider të sistemit të përparuar 5G.

Në dëshminë para Komitetit të Inteligjencës morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) Christopher Wray, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Paul Nakasone dhe Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, gjeneral Scott Berrier.

Seanca u zhvillua një ditë pasi agjensitë e inteligjencës amerikane lëshuan një raport gjithëpërfshirës mbi kërcënimet globale.

“Sëmundjet, hendeku mes të varfërve dhe të pasurve, ndryshimi i klimës dhe konfliktet brenda dhe midis kombeve do të paraqesin sfidat më të mëdha në dekadat e ardhshme, përfshirë pandeminë COVID-19 që përkeqëson tashmë disa nga ato probleme, tha raporti nga Këshilli Kombëtar i Inteligjencës.

LEXO EDHE:

Back to top button