Intensifikohen bombardimet në Gaza, rritet numri i viktimave

Izraeli intensifikoi të premten sulmet ajrore dhe me artileri në Gaza, ndërsa militantët palestinezë të Hamasit vazhduan të hedhin raketa në drejtim të tij.

Ushtria izraelite tha se forcat ajrore dhe tokësore janë përfshirë në sulme, por nuk kanë hyrë në Gaza.

Ofensiva 40-minutëshe vrau 13 palestinezë, përfshirë një nënë dhe tre fëmijët e saj, trupat e të cilëve u nxorën nga rrënojat e shtëpisë së tyre, thanë autoritetet shëndetësore në Gaza.

Izraelitët përdorën 160 aeroplanë luftarakë, si dhe tanke dhe artileri, që qëlluan prej jashtë Rripit të Gazës, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, nënkoloneli Jonathan Conricus.

Së paku 119 palestinezë u vranë në Gaza, që nga përshkallëzimi i luftimeve më 10 maj, thanë zyrtarët mjekësorë në këtë enklavë që kontrollohet nga Hamasi.

Autoritetet izraelite raportuan për tetë viktima të shkaktuara nga zjarri me raketa – në mesin e tyre një ushtar, dy fëmijë dhe pesë civilë të tjerë.

Luftimet – më të këqijat në Gaza dhe Izrael qysh në vitin 2014 – vijnë pas disa javë tensionesh, të shkaktuara nga konfrontimet midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor.

Ky lokacion është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë.

LEXO EDHE:

Back to top button