Interi do hyjë në epokën e re me…Cesk Fabregasin!

Interi ka kontaktuar Cesc Fabregasin, teksa e ardhmja e trajnerit Simone Inzagit mbetet ende e paqartë. Trajneri spanjoll është shfaqur si kandidati kryesor nëse ndodh ndonjë ndryshim në stolin zikaltër. Sipas “Corriere dello Sport”, një takim vendimtar pritet të mbahet së shpejti mes Inzagit dhe drejtuesve të klubit. Trajneri mund të largohet për shkak të interesit nga Arabia Saudite, ose të zgjedhë një vit pushim pas një sezoni intensiv.
Ndërkohë, Interi ka vepruar me shpejtësi duke kontaktuar Fabregasin drejtpërdrejt në orët e fundit. Edhe pse aktualisht ai është me pushime dhe i përkushtuar ndaj projektit të Komos, oferta e Interit shihet si një mundësi që ai po e konsideron seriozisht.
Emërimi i tij nuk do të jetë i thjeshtë. Fabregas është nën kontratë me Komon dhe ka lidhje të ngushta me pronarët e klubit, çka e bën largimin në këtë fazë mjaft të ndërlikuar.
Interi, megjithatë, dëshiron qartësi të shpejtë përpara Kupës së Botës për Klube dhe nisjes së planifikimeve për sezonin 2025–26. Qëllimi i klubit është jo një rindërtim, por përmirësim brenda strukturës aktuale. Profili i Fabregasit përputhet me kërkesat e klubit, një trajner i ri, ambicioz dhe me fleksibilitet taktik. Ai ka përdorur skemën me tre mbrojtës edhe kundër vetë Interit këtë sezon, duke treguar përshtatshmëri.
Vendimi i Inzagit, që pritet këtë javë, do të jetë thelbësor për të përcaktuar nëse Interi do të nisë një epokë të re me Fabregasin në krye.