Interi kërkon Zomerin, Bajerni vë një kusht të panegociushëm

Skuadra e Interit është në kërkim të një portieri pas largimeve të Andre Onana dhe Samir Handanoviçit. I pari në listën e klubit zikaltër është portieri zviceran Jan Zomer, që prej janarit është pjesë e Bajern Munihut.
Me rikthimin e Manuel Nojerit nga dëmtimi, portieri veteran zviceran pritet të lërë kampionët bavarezë dhe ka dhënë miratimin e tij për t’u transferuar në Serie A. Gjithsesi, te Bajerni nuk dëshirojnë që kjo çështje të mbyllet kaq shpejt. Nojer nuk është rikuperuar ende 100% dhe rikthimi i tij mund të vonojë disa muaj, andaj te Bajerni dëshirojnë që ta mbajnë Zomer edhe më gjatë. Gjithsesi, bavarezët janë të gatshëm ta lënë të lirë portierin e tyre, por me një kusht.
Interi duhet të paguajë klauzolën prej 6 milionë eurosh për të siguruar shërbimet e Zomerit. Ky është një kusht i panegociushëm për kampionët e Gjermanisë, që nuk dëshirojnë të mbeten pa portierin, andaj dhe palët po bisedojnë mes tyre.