Interi me mbrojtjen më të mirë,  pësoi vetëm një gol në pesë ndeshje

Interi deri më sot ka pësuar vetëm një gol (të Leaos në derbi) në pesë ndeshjet e para të kampionatit, duke e mbajtur portën të paprekur ndaj Moncë, Kaljari, Fiorentina dhe Empoli. Një statistikë që përmbledh më së miri punën e shkëlqyer të mbrojtjes zikaltër dhe portierit Jan Zomer, të aftë për ta mbajtur portën të pastër në katër nga pesë ndeshjet e Serie A.

“Nuk ka asnjë ekip tjetër të madh evropian që të ketë pësuar vetëm një gol në pesë ndeshje. Edhe në përgjithësi, në 5 kampionatet kryesore të “Kontinentit të Vjetër”, nuk ka skuadra që të kenë pasur një paraqitje të tillë në repartin e pasmë”, shkruan sot “Corriere dello Sport”, duke folur për zikaltrit si mbrojtja më e mirë në Evropë në këtë moment.

Mjafton të thuhet se Man. Siti, për shembull, ka pësuar 3 gola në 6 ndeshje. Ndërkohë, një pengesë ka dalë në anën tjetër të fushës. Interi duhet të heqë dorë nga një sulmues për një kohë të gjatë, pikërisht si një vit më parë. Sezonin e kaluar ishte Lukaku, i cili u dëmtua në javën e tretë të kampionatit  dhe më pas u rikthye, me përjashtim të disa momenteve, në janar. Më pas, dalëngadalë e rifitoi formën e tij fizike. Në këtë kampionat, megjithatë, ishte radha e Marko Arnautovicit për të pësuar dëmtimin që ndoshta nuk do ta lejojë të kthehet në fushë para fundit të nëntorit.

Kjo është periudha më e vështirë për zikaltrit, të cilët brenda një jave do të kenë një triptik ndeshjesh jashtë fushe kundër Juventusit, Benfika-s dhe Napolit. Megjithatë, në pritje të rikuperimit të austriakut, Inzaghi sigurisht që nuk ka mungesë të zgjidhjeve alternative.

LEXO EDHE:

Back to top button