Interi merr kryesimin i ndjekur nga Barça, katastrofë për PSZH-në
Ndeshjet e të martës në Ligën e Kampioneve kanë sjellë një ndryshim të dukshëm në tabelën e klasifikimit të këtij turneut që tashmë fazën në grupe e ka kthyer në fazën e kampionatit me tabelë të përbashkët. Fitorja ndaj Lajpcigut ka bërë që Interi të jetë kryesuesi i ri i renditjes së përbashkët me 13 pikë, i ndjekur nga Barcelona që ka 12, po aq sa Liverpuli i cili ka luajtur 1 ndeshje më pak.
Pozitat në tetëshen e parë i kanë konsoliduar edhe Atalanta, Leverkuseni e Arsenali me fitoret e sotme, teksa surprizat e deritanishme, Brest e Sporting, kanë filluar të humbasin terren.
Ndërkaq, shumë e vështirë mbetet situata e PSG-së, që për momentin është në vendin e 26-të, jashtë zonës së skuadrave që kualifikohen në fazën play-off, ndaj nuk mund të gabojë më asnjë ndeshje nga ato 3 që i mbeten me Salzburgun, Mançester Sitin dhe Shtutgartin.