Inxhinierët kanë dalë me një metodë të re me kosto të ulët për të kthyer ujin e kripur të detit në ujë të pijshëm
Inxhinierët kanë dalë me një metodë të re me kosto të ulët për të kthyer ujin e kripur të detit në ujë të pijshëm

Studiuesit kanë krijuar elektroda pëlhure karboni që heqin në mënyrë efektive elementin kimik bor nga uji i detit, duke zëvendësuar potencialisht kimikatet e shtrenjta në procesin e shkripëzimit.
Elektrodat largojnë borin nga uji i shkripëzuar duke i ndarë molekulat në jone. Jonet e hidroksidit lidhen me borin, i cili ngjitet me elektrodat pozitive, duke siguruar prodhim më të sigurt të ujit të pijshëm.
Projekti, i zhvilluar nga inxhinierë nga Universiteti i Miçiganit dhe Universiteti i Rajs, shënon një përparim kyç në bërjen e ujit të detit të sigurt për t’u pirë.
– Pajisja jonë redukton kërkesat kimike dhe energjitike për shkripëzimin e ujit të detit, përmirëson ndjeshëm qëndrueshmërinë mjedisore dhe redukton kostot deri në 15 përqind, ose rreth 20 cent për metër kub ujë të pastruar – tha Wei Pan, një studiues në Universitetin Rice.
Bori, një përbërës natyral i ujit të detit, bëhet një ndotës toksik i ujit të pijshëm kur anashkalon filtrat konvencionalë të heqjes së kripës. Nivelet e borit në ujin e detit shpesh tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për ujin e pijshëm të sigurt dhe tejkalojnë tolerancën e shumë bimëve bujqësore.
“Ne kemi zhvilluar një teknologji të re që mund të largojë borin në një mënyrë efikase energjetike në krahasim me disa nga teknologjitë konvencionale”, theksoi Jovan Kamçev, profesor i inxhinierisë kimike dhe shkencës dhe inxhinierisë makromolekulare në Universitetin e Miçiganit.
Kapaciteti global i shkripëzimit arriti në 95 milionë metra kub në ditë në vitin 2019 dhe membranat e reja të krijuara për të hequr borin mund të kursejnë afërsisht 6.9 miliardë dollarë në vit.
Ekipi thekson se objektet në shkallë të gjerë, si fabrika e shkripëzimit në San Diego, mund të kursejnë miliona dollarë në vit.
Këto reduktime të kostos mund ta bëjnë ujin e detit një burim më të qëndrueshëm të ujit të pijshëm, duke adresuar krizën e përshkallëzuar globale të ujit. Furnizimet me ujë të ëmbël parashikohet të plotësojnë vetëm 40 për qind të kërkesës deri në vitin 2030, sipas raportit të Komisionit Global për Ekonominë e Ujit 2023.
– Studimi ynë paraqet një platformë që përdor ndryshimet në pH që mund të transformojnë ndotës të tjerë, si arseniku, në forma lehtësisht të lëvizshme – thotë Menachem Elimelech, profesor i inxhinierisë civile dhe mjedisore dhe inxhinierisë kimike dhe biomolekulare në Universitetin Rice.