Inzagi: Është përballja e tretë me Pep-in, është një inspirim për mua
Simone Inzagi ka besim, por e di që dueli kundër Mançester Sitit është i vështirë dhe delikat.
“Duhet të kemi shumë kilometra në këmbë, agresivitet dhe dëshirë për t’u sakrifikuar ndaj një skuadre shumë të fortë”, tha fillimisht trajneri i Interit në konferencën për shtyp.
Liga e Kampionëve vjen menjerëherë pas Monzës, ku Interi bëri një ndeshje shumë të dobët, por kundër “alienëve” të Sitit duhet një tjetër skuadër dhe trajneri e di mirë.
“Çdo skuadër në Europë duhet që t’ia lërë topin Man. Sitit. Ne duhet që të jemi të zotët në të dyja fazat dhe të qartë kur e kemi topin në zotërim. Finalja? Unë e kam parë finalen një javë pas humbjes dhe një muaj më përpara kur ishin në grumbullim. Në çdo rast nuk mendoj se kemi të bërë me një hakmarrje sepse kjo nuk është një ndeshje finale, por thjesht një ndeshje grupi. Është një format i ri në Ligën e Kampionëve, më spektakolar dhe interesant. Do të jetë kënaqësi që të përballem me Pepin. E kam takuar 3 herë në jetë. Është trajneri më i mirë në qarkullim, një inspirim për mua”, tha Simone.
Ai gjithashtu është ndalur edhe tek tema e ndeshjeve të ngjeshura.
“Ne e dimë mirë që televizioni është një nga gjërat prej të cilave fitojmë shumë dhe duhet të përshtatemi me këtë situatë. Problematika e ndeshjeve të shumta ekziston dhe flas shpesh me futbollistët e mi. Të mos mendojmë tani për këtë, por të shohim përpara dhe të fokusohemi te ndeshja kundër Man. Sitit”, përfundoi trajneri i Interit.