Irani ka vazhduar valën e sulmeve ajrore kundër Izraelit
Irani ka vazhduar valën e sulmeve ajrore kundër Izraelit

Irani ka nisur një valë të re sulmesh kundër Izraelit, sipas tij, me më shumë precizitet. Teherani zyrtar tha se ka lëshuar deri tani rreth 100 raketa dhe u zotua për hakmarrje të mëtejshme për sulmin e papritur të Izraelit ndaj programit të tij bërthamor dhe udhëheqjes ushtarake, i cili ka vrarë të paktën 224 iranianë që fillimi i tij të premten e kaluar. Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit u zotua se raundet e mëtejshme të sulmeve do të jenë “më të fuqishme, më të ashpra, më të sakta dhe më shkatërruese se ato të mëparshmet”.
Nga ana tjetër, Izraeli numëron më pak viktima, megjithatë, sulmet që nisën para se të zbardhte dita, pritet të rrisin numrin e tyre. Aeroporti i Tel-Avivit, i mbyllur prej ditësh, ishte shënjestër e sulmeve, bashkë me disa objekte në qytetin bregdetar Haifa. Irani do të paguajë një çmim shumë të lartë për sulmet e tij të qëllimshme ndaj qytetarëve izraelitë, tha kryeministri izraelit Netanjahu, ndërsa vizitoi vendin e një sulmi me raketa iraniane që shkaktoi të paktën 6 viktima. Punonjësit e emergjencës po kërkonin në rrënoja për shtatë fëmijë që mbeten të zhdukur. Sipas raporteve zyrtare izraelite, të paktën 13 persona janë vrarë dhe 390 të tjerë janë plagosur nga kundërsulmet iraniane.
Kjo valë e re sulmesh mes dy shteteve, me pretekstin se Irani po ndërton armë bërthamore, ka shtuar shqetësimit të liderëve të G7-ës se mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal. Optimist deri tani është shprehur presidenti amerikan Trump, i cili tha se do të ketë një zgjidhje të shpejtë. /Alsat.mk