Iranianët zgjedhin presidentin

Qytetarët në Iran votojnë sot për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës Islamike. Votimet zhvillohen në kohën e zemërimit në rritje për gjendjen e dobët të ekonomisë, e cila është goditur rëndë nga sanksionet amerikane, keqmenaxhimi i shtetit dhe pandemia e koronavirusit.

Ebrahim Raisi, një klerik 60 vjeç i vijës së ashpër politike dhe udhëheqës i gjyqësorit, pritet të zëvendësojë presidentin Hassan Rohani, i cili ka shërbyer dy mandate. Raisi ka qenë një nga gjykatësit iranianë në vitin 1988, i cili ka mbikëqyrur një seri gjyqesh të shpejta, në të cilat mijëra të burgosur politikë janë dënuar me vdekje dhe janë ekzekutuar. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ai është fajtor për krime kundër njerëzimit. Këshilli i Gardianëve – një organ i fuqishëm i vetingut në Iran – ka penguar kandidatët e moderuar të garojnë.

Sfiduesi kryesor i Raisit dhe i vetmi i moderuar në garë është Abdolnaser Hemmati. Ai ka shërbyer si shef i Bankës Qendrore të Iranit përpara se të shkarkohej, për të kandiduar për president. Hemmati, 64 vjeç, teknokrat, ka fituar vëmendje në ditët e fundit, duke kritikuar kufizimet shtetërore. Megjithatë, sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se mbështetja për të është me një shifër. Dy sfidues të tjerë të Raisit nga vija e ashpër, ish-negociatori i çështjeve bërthamore, Saeed Jalili, dhe ligjvënësi Alireza Zakani janë tërhequr nga gara më 16 qershor – në ditën e fundit të fushatës zgjedhore. Të dy u kanë kërkuar mbështetësve të tyre të votojnë për Raisin.

Një reformator tjetër, ish-nënkryetari për Sporte, Mohsen Mehralizadeh, gjithashtu është tërhequr nga zgjedhjet të enjten. Dy kandidatë të tjerë të vijës së ashpër, Mohsen Rezai, ish-komandant i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, dhe Amir Hussein Ghazizadeh Hashemi, i cili ka shërbyer si nënkryetar i parë i Parlamentit, mbeten në garë. Votimet mund të shënojnë pjesëmarrjen më të ulët të qytetarëve ndonjëherë – një eventualitet ky që do të hidhte dyshime të mëtejshme mbi legjitimitetin e rezultatit.

Një sondazh i kryer nga Agjencia iraniane e Sondazheve të Studentëve ka sugjeruar se vetëm 42 për qind e 59 milionë votuesve iranianë do t’i hedhin votat. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit presidenciale, më 2017, ka qenë 73 për qind. Nëse asnjëri kandidat nuk fiton një shumicë të përgjithshme të premten, dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në rundin e dytë të votimeve. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në mesnatë. Ministri i Brendshëm i Iranit, Abdolreza Rahmani Fazli, ka pranuar këtë javë se pjesëmarrja në zgjedhje “mund të jetë më e ulët, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme”.

“Konkurrenca e dobët është një arsye dhe situata me koronavirus është një tjetër”, ka thënë Fazli për gazetarët. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime, ndërsa ka fajësuar “armiqtë” e vendit për dekurajimin e njerëzve për të marrë pjesë në zgjedhje. Khamenei ka akuzuar “mediat amerikane dhe britanike” dhe “mercenarët e tyre” për, siç ka thënë, “vrasjen e vetvetes, për të vënë në dyshim zgjedhjet dhe për të dobësuar pjesëmarrjen e qytetarëve”./REL

 

LEXO EDHE:

Back to top button