Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-së Robertson dënon sulmin në Banjskë

Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-së Robertson dënon sulmin në Banjskë

Gazetar: Adrian Kerimi

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, thotë se e dënon pa rezerva sulmin terrorist të ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit. Duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Robertson thekson nevojën që të ketë një fund të dhunës në rajon dhe të ndryshojë imazhi i Ballkanit Perëndimor nga të qenit një zonë problematike në diçka që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane. Për këtë arsye, ai nënvizon se siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme për perëndimin dhe NATO-në.

“Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu…Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri”, tha Lord George Robertson, Ish sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Ai thekson se pavarësisht tensioneve momentale, nuk ekziston një rrezik i luftës në Ballkanin Perëndimor, mirëpo sipas tij, Rusia po ndërhyn në rajon përmes luftës kibernetike.

Robertson shton se është shumë e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë.

“Nuk besoj se ekziston rreziku i luftës në Ballkan, por Rusia po ndërhyn në këtë rajon ashtu siç po sulmon Ukrainën. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë. Nëse ai ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe”, shtoi Lord George Robertson, Ish sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Duke folur për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, Robertson thotë se anëtarësimi i plotë në i Kosovës në NATO, do të sillte paqe të qëndrueshme në rajon.

“Anëtarësimi në NATO është çështje e organizatës së NATO-s. Unë jam një ish-sekretar i përgjithshëm, nuk kam asnjë kontroll mbi atë që po ndodh sot”, theksoi Lord George Robertson, Ish sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Vizita e Roberston në Kosovë vjen në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit. Gjatë bombardimeve të NATO-s, Robertson ka qenë ministër i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button