Ish ushtari i UÇK-së me fletarrestim të Serbisë, ndalohet në Jazhincë

Ish ushtari i UÇK-së me fletarrestim të Serbisë, ndalohet në Jazhincë

Gazetar: Adrian Kerimi

Ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, shtetasi i Kosovës Blerim Ramadani për momentin ndodhet në Gjykatën Penale ku pritet të merret vendimi për lirimin e tij ose dërgimin në paraburgim ekstradues. Komisioni në të cilin merr pjesë edhe prokurori i krimit të organizuar do të vlerëson ligjshmërinë e flet-arrestit të lëshuar para disa viteve më kërkesë të Serbisë deri tek Interpoli. Në prani të Ramadanit ndodhet mbrojtja e tij ligjore dhe ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja. Pasdite pritet vendimi i gjykatës. Arrestimi i Ramadanit përplasi pushtetin dhe opozitën shqiptare. Nga Fronti Evropian akuzuan Qeverinë se po punon si mashë dhe në shërbim të Serbisë.

“Kjo Qeveri që është tani që fatkeqësisht e luan lojën e të tjerëve dhe bëhet mashë e të tjerëve dhe mashë e Serbisë, me keqardhje e them se i zbatojnë disa gjëra që mund të kaloheshin lehtë dhe ish ushtarët e UÇK-së të lëvizin lirshëm në Maqedoni të Veriut. Ndërkohë kemi një ministër që është fund e kokë përkrahës i Putinit dhe nuk pranon një Kosovës të pavarur”, deklaroi Sadulla Duraku, Deputet i Frontit Evropian.

Ndërkohë koalicioni VLEN i kujtoi BDI-së dhe Frontit Evropian gjendjen e shumë ushtarëve të UÇK-së që dergjen burgjeve të Maqedonisë së Veriut.

“Ne si VLEN jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e Kosovës për zgjidhjen e rastit në fjalë, mirëpo koalicioni Fronti Evropian është mirë të bën një retrospektivë në të kaluarën se sa ka qenë e interesuar për ish ushtarët e UÇK-së. Do t’i referohem rastit të Betim Kabashit që vuan në burgun e Idrizovës dhe që vuan nga sëmundja e cirrozës. Neve kemi marr të gjitha masat që t’i ofrohet një shërbim mjekësor më cilësor pavarësisht veprës për të cilën vuan dënim me burg”, tha Rijad Shaqiri, Deputet i Koalicionit VLEN.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90. Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuza për krime lufte. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button