“Ishte një reagim i mirë i ekipit, pas asaj disfate në Ligën e Kampionëve”

Portieri i Realit, Tibo Kurtua luajti të dielën pasdite kundër Getafes ndeshjen e tij të 250-të me fanellën e bardhë. Një rrugëtim që nisi me dyshime në vitin 2018, nga e cila u rikuperua për t’u bërë një lojtar kyç në sukseset e skuadrës së bardhë në vitet e fundit. Kjo e ka bërë atë të jetë portieri i dytë me përqindjen më të madhe për portën e mbajtur të paprekur. Kurtua ka festuar 250 ndeshjet e tij ndaj rivalit ndaj të cilit është mposhtur më së paku, pasi ndaj Getafes, përfshirë edhe ndeshjen e kësaj të diele (2-0), ai ka mbajtur portën e pastër 14 herë gjatë karrierës së tij.
Kurtua numëron 40.8% të ndeshjeve pa pësuar (102 nga 250), ndërsa Visente Train, portier i “Los Blancos” në periudhën 1960-1964, ka 41% (41 nga 100). Portieri i Realit të Madridit ka folur për ndeshjen, duke u shprehur i kënaqur me reagimin e ekipit pas humbjes në Liverpul në mesjavë në Ligën e Kampioneve.
“Ne patëm një reagim të mirë pas disfatës në mesjavë në Ligën e Kampionëve. E nisëm lojën shumë mirë kundër një ekipi intensiv që shkurton lojërat, shënuam dy gola në pjesën e parë dhe harruam të luanim, por krijuam shumë raste në të dytën që, fatkeqësisht, Mbape nuk mundi t’i përfundonte. Goli i tij ishte i shkëlqyer por është për të ardhur keq ai nuk shënoi më shumë, por jam i sigurt se do të përfundojë duke shënuar shumë”, tha ai.