Itali, 8.913 raste të reja me Covid-19

Italia gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar 8.913 raste të reja me COVID-19, shifër më e ulët që nga muaji tetori.

Autoritetet shëndetësore regjistruan po ashtu 298 vdekje nga virusi, duke e çuar në 71.620 numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga gjithsej mbi 2.04 milionë raste të konfirmuara me COVID-19.

Megjithatë numri i ulët i infeksioneve ditore reflekton nga numri i vogël i testeve të kryera gjatë ditës së fundit.

Italia po lufton për të frenuar një shpërthim të dytë që është provuar se është po aq vdekjeprurës sa shpërthimi i parë.

Qeveria italiane ka vendosur kufizime të rrepta gjatë festave të Krishtlindjeve për të kufizuar lëvizjet publike dhe tubimet masive që mund të përhapin virusin në mbarë vendin, duke shkaktuar ndoshta një valë të tretë në fillim të vitit të ardhshëm.

Fushata e vaksinimit kundër koronavirusit ka filluar sot, pasi pesë punonjës shëndetësor në spitalin Spallanzani të Romës u vaksinuan me vaksinën e prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

“Sot është një ditë simbolike që duhet të japë idenë e bukurisë së Evropës, e cila ka blerë vaksinat dhe i ka shpërndarë për të gjithë”, tha mëngjesin e sotëm Domenico Arcuri, komisioner i posaçëm i Italisë për urgjencën.

Fushata e vaksinimit, e cila filloi mëngjesin e sotëm në të gjithë Evropën, vjen pothuajse dhjetë muaj pasi pacienti i parë italian rezultoi pozitiv për koronavirusin në Italinë veriore.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se rreth 9.750 doza të vaksinës tashmë kanë mbërritur në Itali dhe rreth 470 mijë të tjera pritet të mbërrijnë nga java e ardhshme.

Vaksina do të jetë falas, ndërsa të parit që do ta marrin do të jenë punonjësit shëndetësor dhe të moshuarit.

LEXO EDHE:

Back to top button