Italia kërkon ekzekutimin e dënimit me 9 vite burg për brazilianin Robinjo

Qeveria italiane i ka kërkuar Brazilit të zbatojë dënimin e ish-lojtarit të Milanit, Robinjo, dhe mikut të tij Rikardo Falko. Ata u dënuan përfundimisht me 9 vite burg për përdhunimin në grup të një vajze 23-vjeçare shqiptare, natën e ditëlindjes së saj, në janar 2013.

Kërkesat u nënshkruan nga Karlo Nordio, Ministri Italian i Drejtësisë më 24 janar dhe iu dërguan qeverisë braziliane përmes kanaleve diplomatike më 31 janar. Në rastin e ish-sulmuesit, ministri italian kërkon “që çështja t’i dorëzohet autoritetit gjyqësor kompetent brazilian, në mënyrë që ai të autorizojë, në përputhje me ligjin brazilian, ekzekutimin e dënimit me 9 vite burg të dhënë për Robson de Souza me vendim të Gjykatës së Milanos të datës 23 nëntor 2017, i cili ka marrë formë të prerë më 19 janar 2022”.

Në dokument, qeveria italiane shpjegon gjithashtu se kërkesa për ekstradim e Robinjos, e dërguar në Brazil më 29 shtator 2022, u refuzua sepse neni 5 i Kushtetutës braziliane ndalon ekstradimin e shtetasve.

“UOL” kontaktoi Robinjon dhe avokatin e tij përmes aplikacionit të mesazheve. Ish-lojtari është përgjigjur.

“Nuk jam në dijeni për asgjë në lidhje me këtë…”

Disa ditë përpara se qeveria italiane të dërgonte dërgesën në Brazil, Flávio Dino, Ministri i Drejtësisë, e kishte bërë të qartë tashmë se ekzistonte mundësia që Robinjo të shkonte në burg në vendin e lindjes. Më 18 janar, gjatë një interviste për ‘Bandneës’, ministri deklaroi se Robinjo mund të vuajë dënimin në Brazil.

“Vet Kushtetuta braziliane e ndalon ekstradimin e brazilianëve vendas dhe tani, teorikisht, mund të ketë një dënim (në Brazil), por është diçka që do të shqyrtohet më vonë kur kjo të zbatohet efektivisht. Në pikëpamjet e mia, cilëtdo qofshin ato, të dënuarit nga gjykata duhet të ndëshkohen,” tha mes tjerash Dino.

LEXO EDHE:

Back to top button