Izraeli akuzon Iranin për sulmin ndaj anijes “Helios Ray”, Teherani e mohon

Nuk ka asnjë shenjë të zbutjes së tensionit midis Izraelit dhe Iranit. Sot kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu akuzon Teheranin për sulmin e anijes në pronësi të Izraelit në Gjirin e Omanit të enjten e kaluar.

“Ishte Irani. Është e qartë. Irani është armiku më i madh i Izraelit dhe ne e godasim atë kudo në rajon. Iranianët nuk do të kenë armë bërthamore, me ose pa një marrëveshje. I thashë edhe mikut tim Joe Biden”, deklaroi Netanyahu.

Përgjigja e Iranit ishte e menjëhershme, duke hedhur poshtë akuzën e Netanyahut me vendosmëri. “Burimi i kësaj akuze është më pak i besueshmi që ekziston dhe kjo dëshmon mungesën e vlefshmërisë së saj”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Teheranit, Saeed Khatibzadeh.

Edhe pse me flamurin e Bahamas, Helios Ray është në pronësi të izraelitit Abraham ‘Rami’ Ungar, një nga biznesmenët më të pasur në vend.

Një shpërthim kaploi të premten anijen e kompanisë izraelite MV Helios Ray, e cila ishte duke lundruar në Lindjen e Mesme me destinacion Singaporin. Ekuipazhi nuk u lëndua nga shpërthimi, por anija pësoi dëme të konsiderueshme çka e bëri të detyrueshëm ankorimin në Dubai ku anija u riparua pas shpërthimit.

Sipas analistëve ushtarakë në Izrael, ka të ngjarë që Helios Ray të jetë goditur nga raketa dhe se autorët nuk kishin ndërmend ta fundosin atë, por më tepër të dërgojnë një mesazh paralajmërues.
“Ne po shqyrtojmë një përgjigje të përshtatshme. Ajo që ndodhi nuk do të pranohet në heshtje”, tha një zyrtar i lartë në faqen Ynet.

 

LEXO EDHE:

Back to top button