Izraeli, bombardime në rripin e Gazës

Izraeli, bombardime në rripin e Gazës

Izraeli i ka vazhduar bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan, po ashtu, se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit. Zëdhënësi i forcave izraelite tha se në ditët e fundit nuk ka mundur të futet asnjë militant në tokën izraelite nga Gaza.

“Ditët e fundit ka pasur disa incidente, operacione në kufirin verior, kur tani jemi në gatishmëri të lartë në veri. Për momentin nuk ka incidente në kufirin verior, por ne jemi në gatishmëri të lartë. Jemi në gatishmëri nga ajri dhe nga toka. Forcat e Armatosura i kanë në kontroll të plotë zonat përreth Gazës. Nuk ka pasur infiltrim të terroristëve në kufirin me Gazën. Ka incidente të izoluara”, tha Soundbite Daniel Hagari, zëdhenës i forcave izraelite të mbrojtjes.

Ndërkohë zëdhënësi i forcave mbrojtëse tha se ushtria izraelite ka gjetur rreth 1500 trupa të Hamasit në vendbanimet përreth Gazës. Megjithatë nuk u dhanë detaje të tjera për këtë çështje. Pala palestineze, veçanërisht grupi Hamas, ende nuk ka komentuar mbi pretendimin e ushtrisë izraelite.

Nga ana tjetër numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 770 të vrarë dhe mbi 4000 të plagosur.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se 200,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Gaza. Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri thirrje për hapjen e një korridori humanitar në Rripin e Gazës.

Ndërkohë komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut Volker Turk tha se Izraeli i ka goditur ndërtesat e banimit, përfshirë blloqet e ndërtesave të larta, si dhe shkollat gjatë bombardimeve në Rripin e Gazës, duke vrarë civilë.

“Ligji ndërkombëtar është i qartë: kujdesi i vazhdueshëm është detyrim për ta kursyer popullatën civile dhe caqet civile gjatë sulmeve”, tha Turk në një komunikatë.  Të hënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt. Izraeli ka mbetur i tronditur nga sulmi i paparë dhe papritur i Hamasit nga toka, ajri dhe deti, saqë e ka krahasuar atë me sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button