Izraeli do të dërgojë një delegacion për bisedime me Hamasin
Izraeli do të dërgojë një delegacion për bisedime me Hamasin

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën (06.07.) se do të dërgojë një delegacion në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të zhvilluar bisedime për armëpushim me Hamasin, por i hodhi poshtë propozimet e Hamasit për ndryshime në projekt-marrëveshjen për armëpushim.
“Ndryshimet që po kërkon të bëjë Hamasi në propozimin e Katarit na u përcollën mbrëmë dhe janë të papranueshme për Izraelin”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.
Hamasi nuk ka dhënë publikisht detaje lidhur me përgjigjen e tij ndaj propozimit të bërë nga SHBA-të, i cili u përcoll prej ndërmjetësuesve nga Katari dhe Egjipti, por tha të premten se është përgjigjur me një “frymë pozitive”.
Bisedime jo të drejtpërdrejta
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ripërtërirë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës gati 21 muajore në Gazë. Ai do të presë Netanyahun në Uashington të hënën.
Sipas njoftimeve të medias bisedimet me Hamasin nuk do të jenë të drejtpërdrejta.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja synojnë arritjen e një armëpushimi 60-ditor në luftën e Gazës dhe lirimin e pengjeve që mban Hamasi.
Sipas mediave propozimi është për lirimin gradual të dhjetë pengjeve izraelite dhe dorëzimin e eshtrave të peneve të vrarë. Në këmbim nga burgjet izraelite do të lirohen një numër më i madh të burgosurish palestinezë. Gjatë armëpushimit palët pritet të negociojnë për një përfundim të përhershëm të luftës.
Dhjetëra të vrarë në Rripin e Gazës
Burime nga Rripi i Gazës thonë se prej ofensivës së Izraelit që nga mëngjesi i së shtunës aty janë vrarë dhjetëra vetë.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA njofton se të paktën 50 vetë ishin vrarë prej sulmeve ajrore dhe në incidente të tjera. Shumë viktima pati në radhët e atyre që prisnin në radhë për ushqim.
Autoritetet e Gazës thanë se kishte pasur të paktën 70 të vrarë./DW